Shoferi i autobusit që shkaktoi dje aksidentin tragjik në Kroaci, është parë sot duke shkuar në prokurori, i prangosur dhe i shoqëruar nga policia, raporton Gazeta Express.
Ai do të merret në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, derisa, pas këtij intervistimi, Zyra e Avokatit të Shtetit do të marrë një vendim për rrjedhën e mëtejshme të procedurave.
Pra, do të vendoset nëse do të lirohet i njëjti apo do të mbetet në paraburgim.
Pamjet e publikuara nga mediat kroate, tregojnë momentin kur shoferit kosovar del nga veturat e policisë kroate dhe përcillet për tek prokurori.
Zëvendës-Prokurori i Shtetit Komunal në Kroaci, Sllavko Pranjiq, ka njoftuar dje se arrestuar shoferi i autobusit, që ka dalë nga rruga, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në Sllavonski Brod.
Si pasojë e aksidentit kanë vdekur 10 persona dhe mbi 40 janë të plagosur, 15 prej të cilëve në gjendje të rëndë.
“Shoferi është arrestuar nën dyshimin për drejtim të automjetit në mënyrë jo të duhur. Shkaqet e daljes nga rruga të autobusit do të përcaktohen kur të merren provat, ka thënë dje Pranjiq.
Pranjiq ka thënë po ashtu se përgjatë dëshmisë së tij, shoferi ka thënë se ka rënë në gjumë për një moment.
“Por ne do të përcaktojmë gjithçka më vonë”, ka thënë mes tjerash Pranjiq.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, ka thënë se të vdekurit janë bashkatdhetarë, të cilët kanë qenë duke udhëtuar në linjë të rregullt Frankfurt-Prishtinë./GazetaExpress/
