FBI-ja e cilëson prioritet të lartë trajtimin e rasteve me Sindromin Havana - Gazeta Express

FBI-ja e cilëson prioritet të lartë trajtimin e rasteve me Sindromin Havana

Lajme

Gazeta Express

25/11/2021 13:40

Byroja Federale e Hetimeve e ShBA-së, e njohur më shumë me shkurtesën FBI, tha të mërkurën se trajtimi i çështjes së “incidenteve anormale shëndetësore” – të njohura gjerësisht si Sindromi Havana – është prioritet kryesor dhe se do të vazhdojë të zhvillojë hetime për shkaktarin dhe për atë se si të mbrohet stafi.

Rreth 200 diplomatë, zyrtarë e familjarë të tyre nga Shtetet e Bashkuara besohet se janë prekur nga sindromi misterioz. Për herë të parë, ky problem ishte raportuar nga zyrtarët amerikanë në kryeqytetin kuban më 2016.

Lexo Edhe:

“Çështja e incidenteve anormale shëndetësore është prioritet kryesor për FBI-në, pasi mbrojtja, shëndeti dhe mirëqenia e punëtorëve e kolegëve tanë në tërë qeverinë federale është e rëndësisë më të lartë”, thuhet në deklaratën e FBI-së.

Byroja Federale e Hetimeve gjithashtu tha se do ta vazhdojë punën me komunitetin e inteligjencës për “ta identifikuar shkaktarin e këtyre incidenteve dhe për të përcaktuar se si mund ta mbrojmë më së miri personelin tonë”, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Ata që janë prekur dhe ligjvënësit janë ankuar se agjencitë amerikane nuk e kanë marrë mjaftueshëm seriozisht këtë problem shëndetësor.

“FBI-ja e merr seriozisht tërë personelin e qeverisë amerikane që raporton simptoma”, thuhet në deklaratën e FBI-së, ku shtohet se i ka dërguar porosi stafit për mënyrën se si të mbrohet, nëse punëtorët përjetojnë një incident të tillë dhe për atë se ku mund të marrin trajtim mjekësor.