Detaje të reja për aksidentin tragjik, zbulohet koha për të cilën autobusi kaloi nëpër Bullgari - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

24/11/2021 8:36

Detaje të reja për aksidentin tragjik, zbulohet koha për të cilën autobusi kaloi nëpër Bullgari

Lajme

Gazeta Express

24/11/2021 8:36

Janë zbardhur detaje të reja për autobusin që u aksidentua dhe u përfshi nga zjarri në Bullgari, ku si pasojë vdiqën 45 persona dhe u lënduan shtatë të tjerë, raporton Express.

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Administratës së Automjeteve, Bojko Ranovski, autobusi kishte hyrë në Bullgari në orën 21:15 dhe koha prej 5 orësh për kalimin e rreth 320 kilometrave rrugë është normale për lëvizje.

Lexo Edhe:

Ranovski tha se po kontrollohet nëse shoferët i kanë ndërruar vendet për pushimin e fundit, që ka qenë rreth 30 kilometra para vendit të përplasjes.

Sipas tij, shkaqet më të mundshme të aksidentit mund të jenë shpërqëndrimi momental dhe mosfunksionimi teknik.

“Autobusi ka hyrë në Bullgari në orën 21.15 dhe koha – 5 orë për kalimin e rreth 320 km, është normale për lëvizje. Këtë e ka sqaruar për BNT, Bojko Ranovski, drejtor ekzekutiv i Administratës së Automjeteve. Ai shtoi se sigurisht që kanë qenë dy shoferë, po kontrollohet nëse kanë ndërruar vendet për pushimin e fundit – rreth 30 km para vendit të përplasjes, që është supozimi më logjik. Prandaj, sipas tij, shkaqet më të mundshme të aksidentit mund të jenë shpërqendrimi momental ose mosfunksionimi teknik”, shkruan Dnevnik.

Ranovski deklaroi se viktimat vdiqën si pasojë e zjarrit, prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme të vërtetohet nëse ai ka ndodhur para apo pas goditjes në parmakë mbrojtëse.

Tri versionet se si mund të ketë ardhur deri te aksidenti tragjik

Ende nuk dihet se si erdhi deri te aksidenti tragjik në Bullgari, ku mbetën të vdekur së paku 45 persona e u lënduan shtatë të tjerë. Por, mediat bullgare raportojnë për tri versione se si mund të ketë ndodhur ky aksident.

Sipas ekspertëve me të cilët ka biseduar Dnevnik, tri versionet se si mund të ketë ndodhur ky rast tragjik janë: mosfunksionimi teknik, gabimi njerëz ose infrastruktura e dobët.

“Mosfunksionim teknik, gabim njerëzor ose infrastrukturë e dobët. Këto janë tri versionet për të cilat, sipas ekspertëve me të cilët po bisedon Dnevnik, mund të punohet në hetimin e aksidentit të rëndë në autostradën e Strumës , ku një autobus maqedonas mori flakë dhe 45 persona humbën jetën”, shkruan ky medium.

Përplasja më vdekjeprurëse e autobusit në Evropë në 10 vitet e fundit do të hetohet nga Shërbimi Kombëtar i Hetimit (NSS) dhe është nën mbikëqyrjen e posaçme të Prokurorisë së Apelit të Sofjes dhe Prokurorisë së Lartë të Kasacionit.

Versioni zyrtar i autoriteteve bullgare, i paraqitur nga zëvendëskryeprokurori Borislav Sarafov, i cili drejton SHSK-në, është për punë në dy drejtime kryesore – gabim njerëzor ose mosfunksionim teknik.

Nuk do të ketë hetim paralel në Maqedoninë e veriut në këtë fazë dhe autoritetet lokale do të bashkëpunojnë me homologët e tyre bullgarë, raportojnë mediat bullgare.

Ka komente të ndryshme se çfarë saktësisht mund të ketë shkaktuar zjarrin, si dhe kur ka ndodhur, por nuk ka asnjë informacion zyrtar për të.

Prokuroria bullgare vetëm konfirmoi se ka pasur një shpërthim – arsyet e të cilit ende nuk janë sqaruar.

“Shpërthimi” u zbulua sipas fjalëve të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev në një intervistë për BTV të martën në mëngjes, duke iu referuar historisë së një prej pasagjerëve të mbijetuar me të cilin ai kishte folur. Zaev më vonë nuk pranoi të komentojë sepse ishte pjesë e hetimit .

Sipas ekspertëve, edhe versioni i infrastrukturës së keqe nuk duhet përjashtuar.

“Nuk bëhet fjalë aq për gjendjen e rrugës sa për vendndodhjen e tabelave dhe mungesën e shenjave adekuate të dritës”, shkruan mediumi bullgar.

Megjithatë, qytetarët që kalojnë shpesh në rrugë sqarojnë se pjesa ku ka ndodhur aksidenti është e rrezikshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë Shtetërore për Sigurinë Rrugore, të dhëna në përgjigje për Dnevnik, në tre vitet e fundit në këtë seksion kanë ndodhur 10 aksidente të lehta, pa viktima apo të lënduar dhe seksioni nuk është përcaktuar si problematik.

Ndryshe, në një aksident në një rrugë afër qytetit të Bullgarisë, Pernik, 45 persona, përfshirë ngasësin e autobusit të kompanisë “Besa Trans”, kanë humbur jetën. Autobusi nga Maqedonia e Veriut, i cili ka qenë duke udhëtuar drejt Shkupit, është përfshirë nga flakët dhe është rrotulluar, ka njoftuar Ministria bullgare e Punëve të Brendshme. Në mesin e të vdekurve kanë qenë edhe 12 fëmijë. Autobusi ka qenë duke u kthyer në Shkup nga një ekskursion në Stamboll./Gazeta Express