16 vjet më parë, kur Limaj u kthye i pafajshëm në Prishtinë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 17:53

16 vjet më parë, kur Limaj u kthye i pafajshëm në Prishtinë

Lajme

Gazeta Express

30/11/2021 17:53

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, 16 vjet më parë u shpall i pafajshëm nga Tribunali i Hagës. Trupi gjykues kishte vlerësuar se prokuroria nuk kishte paraqitur dëshmi të bollshme lidhur me akuzat për krime lufte, trajtim mizor, keqtrajtim dhe krime kundër njerëzimit kundër Fatmir Limajt. Me të ishte liruar edhe Isak Musliu. Në Kosovë kishte filluar festa.

Limaj, deputet në legjislacionin e parë të Kuvendit të Kosovës dhe shef i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, ishte arrestuar me urdhër të Tribunalit të Hagës në shkurt të vitit 2003, për t’u liruar gati dy vjet më pas, duke u kthyer i pafajshëm, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Me 1 dhjetor 2005, Fatmir Limaj u shfaq në Aeroportin e Prishtinës ku liderë të lartë politikë dolën për ta pritur. Shokët e tij të luftës ishin të parët që e përshëndetën pas kthimit. E përqafuan radhazi Hashim Thaçi, Azem Syla, Sylejman Selimi, Jakupi Krasniqi, Rexhep Selimi, Ramë Buja e Agim Çeku.

Me ta, mijëra qytetarë të Kosovës e prisnin Komandant Çelikun, duke i mbushur rrugët e sheshet.

Vetëm pasi i përshëndeti shokët e luftës, Limaj u takua me fëmijët e tij të vegjël dhe familjarët e tjerë.

“Mirë se ju gjeta Kosovë”, tha ai duke përshkuar mes njerëzve të mbledhur.

Pak më vonë, Limaj u tha mijëra qytetarëve përballë të cilëve u gjend se “Liria jonë është fitorja juaj”.

“Ne u liruam sepse para se gjithash ju kishit besim në pafajësinë tonë”, tha Limaj.

Në festën për lirimin e Limajt, më të emocionuarit ishin familjarët e tij. Vëllai i tij, Demir Limaj, atëherë deputet në Kuvendin e Kosovës, në një bisedë nga Haga për Radion Evropa e Lirë, kishte thënë se familja gjatë gjithë kohës ka qenë e bindur për pafajësinë e Fatmir Limajt.

“Ne si familje kemi qene të bindur që tre vjet që Fatmiri është i pafajshëm dhe konsideroj se është e nevojshme të përmendet edhe sllogani i tij se “jam i pastër si loti”. Dhe, më në fund drejtësia ndërkombëtare e vërtetoi pafajësinë e tij të sinqertë dhe të pastër si loti”, kishte thënë ai.

Zyrtarët e PDK-së, që qenë edhe shokët më të mirë të Limajt, festonin brenda e jashtë selisë së partisë për lirimin e Limajt.

Presidenti Ibrahim Rugova përmes një deklarate me shkrim e kishte mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës së Hagës.

“Gjykimi i sotëm vërteton drejtësinë e luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës kundër okupimit serb, drejtësinë e luftës për liri dhe pavarësi të vendit tonë, si dhe besueshmërinë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në Tribunalin e Hagës”, thuhej në deklaratën e presidentit Rugova.

Ndërkohë, kryeministri i atëhershëm Kosovës, Bajram Kosumi kishte thënë se vendimi ishte edhe një dëshmi se Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij kanë pasur vetëm një qëllim në jetë: luftën për lirinë e Kosovës.

Dy ditë para lirimit të Limajt, dhjetëra mijëra qytetarë kishin protestuar rrugëve të Prishtinë në mbështetje të të akuzuarve, duke bërë thirrje për drejtësi.

Vite më pas, Limaj rrëfente për situatën në burgun e Hagës, ku mbaheshin edhe kriminelët serbë si Sllobodan Millosheviq, Ratko Mlladiq e Vojisllav Sheshel.

“Gjykata e përcakton a jeni apo nuk jeni fajtor, edhe pse ishte padrejtësi ndaj neve. Situata ishte fragjile në Kosovë aso kohe, pavarësia ishte larg. Brenga ime ishte qe njerëzit ta pranojnë me qetësi këtë vendim. Është e papërshkrueshme të jesh në burg me ata që i kanë vra 4000-5000 njerëz, me njerëz që ishin të dënuar për gjenocid, me gjeneralët serbë, si Kërstiq, etj”, kishte thënë Limaj.

“Dhe të futesh në atë ambient, është e vështirë emocionalisht, por në këto situata duhesh të kesh besim në Zot dhe në drejtësi dhe duhet të ballafaqohesh me atë deri në aktin final”, shprehej ai.