Engjëll Koliqi, kandidati i listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), një ish-gazetar i Radio Vatikanit i ka hyrë garës për të marrë një ulëse në Kuvendin e Kosovës me një platformë që ai e ka quajtur “Kosova dje, sot e nesër”.
Numri 103 i listës së AAK’së ka rrëfyer për raportet që ka pasur me Papa Gjon Palin II, të cilin e ka përshkruar si një njeri që e ka dashur shumë kombin shqiptar, platformë të cilën e ka sqaruar në detaje në një intervistë dhënë Gazetës Insajderi.
Ai në këtë rrëfim të gjatë ka shpjeguar se cila është mundësia që Vatikani, si njëri nga shtete me shumë ndikim në botë, ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi që Republikën e ka njohur tashmë Izraeli.
Ju keni punuar si gazetar në Selinë e Shenjtë në Vatikan, jeni njohës i thellë i zhvillimeve atje. Për sa kohë që Kosovën e ka njohur edhe shteti i Izraelit, në Kosovë ngrihet vazhdimisht pyetja se pse ende nuk na ka njohur Vatikani. Më saktësisht, a do të na njohë Vatikani?
Engjell Koliqi : Njohja e Kosovës nga Vatikani është një çështje që kërkon kohë dhe diplomaci të kujdesshme. Unë jam optimist se në të ardhmen kjo do të ndodhë. Besoj se Kryetari Ramush Haradinaj dhe lidershipi i AAK-së trasojnë rrugën për këtë rrugëtim të suksesshëm. Simbolika e njohjes së Republikës së Kosovës nga Vatikani është mëtim dhe përcaktim i Republikës sonë që ajo të jetë pjesë e Perëndimit. Kjo ishte ëndrra dhe ideja e rilindësve tanë, është synim i yni dhe amanet i heronjve tanë. Andaj do të bëjmë punën tonë që njohja të vijë në një ditë të bardhë për kombin tonë.