Zyrtari i LDK-së: Nëse të tjerët bëjnë koalicione parazgjedhore, na imponohet të shkojmë me VV-në


Gazeta Express
22 Korrik 2019 13:52

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka bërë të ditur, se mundësia për një koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen nuk është diskutuar ende në strukturat e partisë.

Mirëpo, Avdyli thotë që mendimi i tij personal sa i përket kësaj çështjeje është se nëse partitë e tjera bëjnë koalicione parazgjedhore, atëherë një gjë e tillë imponohet edhe në LDK.

“Normalisht kjo ende nuk është diskutuar në strukturat e partisë, është herët, por mendimi im personal është që nëse partitë e tjera bëjnë koalicione parazgjedhore neve na imponohet të punojmë në këtë drejtim. Pra, nëse formohet një PAN i ri, na imponohet një koalicion me Vetëvendosjen”, ka thënë Avdyli.

Ndërsa, për atë nëse LDK-ja do të pranojë një kryeministër nga Vetëvendosja, Avdyli thotë se më me rëndësi është ndryshimi.

“Kjo akoma nuk është diskutuar, është herët, por më e rëndësishme është se çka po dojmë me u bë me Kosovën, kjo tema se kush të bëhet Kryeministër është e kotë, ne duhet të ja fusim në kokë njëri-tjetrit se a duam të bëjmë ndryshimin në vend, ta nxjerrim Kosovën nga një humnerë të cilën e kanë fut qeveria e deritanishme, si në aspektin financiar, politik e marrëdhënie ndërkombëtare, e në këtë drejtim na duhet më shumë të punojmë se sa për emra, na duhet një përafrim programi, pasi kemi dallime konceptuale sikur për shtetin e Kosovës, në këtë drejtim duhet të përafrohemi e pastaj të gjendet një konsensus për emra të përveçëm”. ka thënë Avdyli për Infokusi.

E nëse arrihet një marrëveshje e tillë, atëherë Avdyli thotë se janë të gatshëm që të bashkohen me Vetëvendosjen, por jo vetëm për një mandat.

“Jemi të gatshëm për bashkëpunim më afatgjatë me Vetëvendosjen, nëse është e nevojshme edhe për dy mandate apo më shumë, të rregullohet dëmi që është shkaktuar, si në aspektin e papunësisë, dialogut, ikjen e të rinjve e shumë gjëra tjera që kjo qeveri nuk i ka kry si duhet, pasi ka qenë një koalicion jo parimor e me ndërskamca. Nëse LDK-ja është partner qeverisës, ne e kemi dëshmuar që jemi të drejtë e nuk bëjmë gjëra të tilla”, ka deklaruar Avdyli.

Te fundit


Kthehu lart