Zyrtare: Bratislava kundërshtari i Feronikelit në rundin e dytë kualifikues në Ligën e Evropës


Gazeta Express
17 Korrik 2019 23:17

Kampioni i Kosovës Feronikeli do të përballet me Slovan Bratislava në rrethin e dytë kualifikues për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës, pasi njëlloj si klubi kosovar edhe klubi sllovak u eliminua nga rundin i parë kualifikues për Ligën e Kampionëve të mërkurën.

Bratislava përjetoi rrëzim të dhimbshëm nga rruga për t’u kualifikuar në garën më prestigjioze evropiane për klube, sepse humbi 3:2 ndaj Sutjeska pas gjuajtjeve të penalltive, pasi loja e rregullt dhe ajo shtesë e kthimit mes tyre mbaroi baras 1:1, ngjashëm si ajo e para, raporton Gazeta Express.

Vlado Giljen i priti dy penallti të lojtarëve të Bratislavës për t’u bërë heroi i klubit nga Mali i Zi, i cili falë t’i do të vazhdojë përpjekjet për t’u kualifikuar në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

Si rrjedhojë, klubi sllovak do të përballet me Niklin, klubin nga Drenasi, të cilit të martën iu shua ëndrra për ta vazhduar luftën në mënyrë që ta sigurojë një vend në fazën grupore të Ligës së Kampionëve pasi u mund në Prishtinë nga klubi uellsian The New Saint.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, ligës dhe kupës, Feronikeli ishte afër kalimit në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve pas një barazimi dramatik me rikthim (2:2) në Uells, por u mposht 1:0 në stadiumin Fadil Vokrri përkundër se ishte skuadër dominuese dhe krijoi më shumë.

Nikli u bë skuadra e dytë kosovare që arrin kaq larg në kualifikime për këtë garë, pas Dritës, por e lëshoi mundësinë për t’u bërë e para në histori të futbollit kosovar që e arrin të paktën rundin e dytë kualifikues.

Dosido, klubi nga Drenasi tani do ta vazhdojë rrugën për ta siguruar kualifikimin në një garë evropiane, Ligën e Evropës, garën e dytë për nga rëndësia.

Ndeshjen e parë ndaj Bratislavës, Nikli do ta zhvillojë më 25 korrik, ndërsa atë të kthimit më 1 gusht.

Fituesi kalon në rundin e tretë kualifikues.  /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart