Zyra e BE-së: Nuk ka datë të caktuar për liberalizim të vizave, Kosova ka ende punë në sundimin e ligjit


Arbër Jashari
15 Nëntor 2019 15:06

Përkundër se në korrik të vitit 2018 Komisioni Evropian ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave, kosovarët ende nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën shengen. Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për Gazetën Express se nuk ka një afat të caktuar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Gazeta Express

Franca po shihet si shteti kyç në Bashkimin Evropian që nuk po e përkrah liberalizimin e vizave për Kosovën. Edhe futja në agjendë e procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën në Këshillin e Ministrave nuk mjafton pasi që 55% e shteteve anëtare që përfshijnë 65% të popullsisë së BE-së duhet të votojnë pro heqjes së vizave për Kosovë.

Duke marrë parasysh votat në Këshillin e Ministrave të pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mospërkrahjen e shteteve si Franca dhe Holanda, heqja e vizave për kosovarët edhe në vitin 2020 pritet të jetë sfiduese, shkruan Gazeta Express.

Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë për Gazetën Express se nuk ka një afat të caktuar për vizat.

“Nuk ka një afat të caktuar për procesin e liberalizimit të vizave dhe është në dorën e shteteve anëtare të BE-së në Këshill që ta përfshijnë liberalizimin e vizave për Kosovën në agjendën e Këshillit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Zyra e BE-së në Kosovë është shprehur se është në dorën e shteteve anëtare të BE-së që të marrin një vendim përfundimtar për heqjen e vizave për Kosovën.

“Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon. Është në dorën e shteteve anëtare të BE-së që përfaqësohen në Këshillin e Bashkimit Evropian, së bashku me Parlamentin Evropian që të marrin vendimin përfundimtar”, kanë deklaruar nga Zyra e BE-së.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Artan Murati, ka deklaruar se qëndrimi i Francës dihet dhe është i pandryshueshëm tash e sa kohë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Qëndrimi i Francës praktikisht nuk paraqet asgjë të re sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, meqenëse ky qëndrim është i pandryshuar tash e sa kohë. Franca vazhdon të kundërshtojë çfarëdo iniciative që do të siguronte udhëtim pa viza jo vetëm për kosovarët, por për këdo tjetër”, ka thënë Murati.

Kurse Zyra e BE-së, po ashtu, ka thënë se Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit dhe migrimin në mënyrë që të bindë shtetet anëtare të BE-së në vendimin përfundimtar.

“Është e rëndësishme që Kosova të tregojë përpjekjen e saj të vazhdueshme në sundimin e ligjit, migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatitet në kontekstin pozitiv për vendimin përfundimtar nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian”, thotë Zyra e BE-së në Kosovë.

Artan Murati është shprehur se kosovarët përfundimisht nuk do të udhëtojnë pa viza në vitin 2019, por në vitin 2020 rriten shpresat që Kosova të hyjë në agjendën e Këshillit të Ministrave me marrjen e Presidencës nga Kroacia.

“Siç kam deklaruar përgjatë gjithë vitit, viti 2019 nuk është vit i liberalizimit të vizave për Kosovën. Me marrjen e presidencës nga Kroacia, rriten edhe shpresat që potencialisht liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet pjesë e agjendës së punës së Këshillit të Ministrave”, ka thënë ai.

Murati ka thënë që Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet tjera siç janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ndonëse me vonesë, Kosova i ka përmbushur kriteret formale të cilat i janë imponuar Kosovës nga ana e BE-së. Megjithatë, si duket një gjë e tillë ende nuk ka përfunduar, meqenëse ende është duke u kërkuar nga Kosova që të plotësohen kushte tjera, sidomos ato që ndërlidhen me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka thënë ai. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart