Zyra e BE-së mbështet iniciativën e shoqërisë civile për Projektligjin e Financave të Partive Politike


Gazeta Express
18 Qershor 2019 15:25

Organizatat e shoqërisë civile ditën e djeshme kanë protestuar kundër miratimit të Projektligjit për Financimin e Partive Politike. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për Gazetën Express janë shprehur se Projektligji në formën e tanishme nuk i plotëson kërkesat e Agjendës Evropiane të Reformave. Ata janë shprehur se përkrahin iniciativën e shoqërisë civile që kërkojnë plotësimin dhe rishqyrtimin publik të këtij Projektligji në Kuvendin e Kosovës.

Arbër Jashari

Projektligji për Financimin e Partive Politike ka zgjuar debate në skenën politike.

Shoqëria civile dje vendosën pankarta në selitë e partive më të mëdha politike në Kosovë, në kundërshtim të Projektligjit për Financimin e Partive Politike, por hasën në rezistencë kur ia mësynë partisë që drejtohet nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Aty sigurimi i PDK-së nuk i lejoi aktivistët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë paqësore duke i kërcënuar dhe goditur me grushte. Madje i kërcënoi edhe me revole.

Zyrtarë të Zyrës së BE-së në Kosovë, thanë për Express se në formën e tij të tanishme dhe të ndryshuar, projektligji nuk i plotëson asnjërën nga kërkesat, për të cilat është arritur marrëveshje në Agjendën Evropiane për Reforma dhe është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Për fat të keq, Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili e ka rishikuar këtë projektligj dhe ka përgatitur amendamentet nuk kanë ndjekur praktikat më të mira dhe udhëzimet e ekspertëve të parashtruara nga Komisioni i Venecias, dhe ne sinqerisht besojmë që nëse ky projektligj miratohet me këto amendamente, do të bënte një hap prapa në përpjekjet tona të përbashkëta për të ndërtuar një legjislacion më funksional, më llogaridhënës, më transparent dhe të detyrueshëm për financat e partive politike dhe kampanjave zgjedhore”

Zyra e BE-së thanë se qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i financon partitë politike.

“Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush i financon ata që i përfaqësojnë në Qeveri dhe Kuvend. Raportet e Auditorit të financave të partive politike të cilat janë prezantuar në Komisionin e Mbikëqyrjes së Financave Publike shfaqin një numër serioz të shkeljeve, parregullsive dhe të metave dhe konfirmon përsëri nevojën për reforma dhe rishqyrtim serioz të shkeljeve të evidentuara”.

Ata po ashtu u shprehën se pajtohen plotësisht me vlerësimin e shoqërisë civile për këtë çështje.

“Ne pajohemi plotësisht me vlerësimin e shoqërisë civile që janë shprehur për këtë çështje dhe kërkesën e tyre për një përfshirje reale në hartimin, monitorimin dhe shqyrtimin publik”.

Për këtë qëllim ne kemi ngritur këtë çështje disa herë me Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit, si dhe me të gjitha partitë politike, dhe do të vazhdojmë të bëjnë një gjë të tillë, u shprehën zyrtarët e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zyra e BE-së tha se i bëjnë thirrje publike Kuvendit të Kosovës dhe Partive Politike të mos bëjnë hapa të gabuar.

“Ne i bëjnë thirrje publike Kuvendit të Kosovës dhe partive politike të mos bëjnë hap prapa dhe të gabuar në këtë drejtim, dhe Zyra e BE-së dhe Përfaqësuesi Special i BE-së tashmë ka dhënë rekomandimin që një mendim i dytë pasues nga Komisioni i Venecias duhet të kërkohet për të përkrahur diskutimet në Kuvend në aspekte të ndryshme për Projektligjin dhe amendamenteve të propozuara. Në këtë aspekt, Komisioni i Venecias mund të sigurojë udhëzime të dobishme, jo të politizuara në çështje të diskutueshme”.

Zyrtarët e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë deklaruan po ashtu se do të ishte adekuate që Komisioni ad-hoc që sapo është krijuar për Përmirësimin dhe Forcimin e Proceseve Zgjedhore të shqyrtojë këtë Projektligj si dhe udhëzimin e Komisionit të Venecias. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart