Zyberaj: Fushata ka qenë për qytetarët e këtij vendi, faleminderit për përkrahjen - Gazeta Express
string(79) "zyberaj-fushata-ka-qene-per-qytetaret-e-ketij-vendi-faleminderit-per-perkrahjen"

Zgjedhjet 2021

Gazeta Express

12/02/2021 21:53

Zyberaj: Fushata ka qenë për qytetarët e këtij vendi, faleminderit për përkrahjen

Zgjedhjet 2021

Gazeta Express

12/02/2021 21:53

Kandidati për deputet nga radhët e AKR’së, në listën e përbashkët të LDK’së, Jetlir Zyberaj, ka falënderuar qytetarët që i ofruan përkrahje përgjatë kësaj fushate zgjedhore, teksa ka thënë se në parlament do kontribuojë në ekonominë dhe politikën e vendit.

Zyberaj, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se fushata ka qenë e destinuar për qytetarët, teksa ka premtuar edhe njohjen diplomatike të Serbisë në mandatin e ardhshëm.

“Falënderoj secilin, një për një, duke filluar nga familja ime, bashkëpunëtorët në parti dhe gjithë qytetarët e Kosovës që e kanë bërë këtë udhëtim timin elektoral një eksperiencë të paharrueshme”, ka deklaruar ai.

Postimi i plotë:

Gjatë kësaj fushate kam vizituar pothuajse secilin kënd të shtetit tonë.

Jam takuar me shumë prej jush e kemi biseduar gjerë e gjatë për problemet tona, për sfidat e së ardhmes dhe potencialin tonë për t’u ballafaquar me këto sfida.

Megjithatë, më shumë kam dëgjuar sesa kam folur, sepse askush më mirë sesa qytetari i këtij vendi nuk e di se me çfarë ballafaqohet, por nuk kam folur shumë edhe për faktin se me fjalë nuk zgjidhet asgjë.

Unë jam për veprim, për punë.

Karriera ime në pozita të ndryshme menaxheriale e drejtuese më ka mësuar që aksioni është çfarë i lëvizë gjërat përpara, jo të folurit dhe pastaj qëndrimi në vend.

Të jeni të sigurt, nuk kam harruar dhe nuk do të harroj asnjë nga ato që më keni thënë e më keni transmetuar gjatë kësaj fushate.

Të gjitha, në një të ardhme të afërt, pas fitores së Listës tonë 132✅, do strukturohen e më pas do shndërrohen në iniciativa konkrete qeverisëse.

Kjo për mua është hera e parë që garoj për pozitë të deputetit të Kosovës.

Në secilin vend që kam qenë më keni bërë të ndjehem i juaji – në fakt ashtu edhe jam, i juaji dhe një nga ju.

Unë në Parlament do prezantoj vizionin politik e ekonomik tonin, por do jem përfaqësues i popullit të Kosovës, i brengave tuaja, i dëshirave tuaja dhe i pritjeve tuaja për të ardhmen.

Jam i lumtur më mbështetjen që më keni dhënë, por mbetem me këmbë në tokë se ky fund-fushate, përbën vetëm fillimin e një pune të madhe, e cila pas katër vitesh duhet të rezultojë me shëndetësi më të mirë, me shkolla më cilësore, me zhvillim më të madh, me ekonomi më funksionale, me subjektivitet shtetëror me të forcuar si brenda si jashtë Kosovës dhe përfundimisht me stopim të status quos dhe njohje të shtetësisë nga Serbia.

Falënderoj secilin, një për një, duke filluar nga familja ime, bashkëpunëtorët në parti dhe gjithë qytetarët e Kosovës që e kanë bërë këtë udhëtim timin elektoral një eksperiencë të paharrueshme.

Nuk kam dashur dhe nuk do të lejoja asnjëherë që fushata ime të shndërrohej në një agjendë propagandistike që mbjell urrejtje.

Një luftë mes “ne” dhe “ata”. Mes “patriotit” e “tradhtarit”. Mes “të mirëve” e “të ligëve”.

Jo, kjo fushatë nuk ka qenë e fokusuar te “ata”, por te qytetarët e këtij vendi, tek ajo se çfarë Ju kanë shqetësim dhe çfarë mund të ofroj unë për të gjetur një zgjidhje për atë shqetësim të caktuar.

Faleminderit për përkrahjen tuaj, u jam përherë borxhli e mirë u takofshim me 14 shkurt, në ditën e fitores tonë të përbashkët.