Zvicra mbetet në garë për kualifikim në Euro, pas triumfit ndaj Irlandës


load
Gazeta Express
15 Tetor 2019 22:42

Haris Seferovic me një gol dhe Shane Duffy me një autogol e kanë mbajtur Zvicrën në garë për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020, duke u ndihmuar helvetikëve ta mposhtin 2:0 lideren e Grupit D, Irlandën, me Ricardo Rodriguez që e humbi penalltinë.

Zvicra tani grumbullon 11 pikë, një më pak se Danimarka në pozitën e dytë dhe se Irlanda që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar, pas triumfit minimal të martën në Gjenevë, raporton Gazeta Express.

Kombëtarja helvetike po  vinte nga një humbje prej Danimarkës në ndeshjen e fundit dhe i duheshin tri pikë sonte për të mbetur në garë për kualifikim.

Pikërisht këtë edhe e arritën me dy futbollistët me prejardhje shqiptare, Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi që luajtën titullarë.

Zvicra e dominoi takimin duke e kontrolluar lojën dhe duke krijuar më shumë se vizitorët.

Seferovic, shënoi një gol fantastik nga largësia për t’i dhënë Zvicrës epërsinë pas një çereku lojë.

Vendasit lëshuan shumë raste për ta dyfishuar epërsinë, përfshirë një mundësi të artë nga penalltia. Por goditja e Rodriguez nga pika e bardhë u prit nga portieri Darren Randolph në minutën e 77-të.

Në minutën e 90+3, Duffy shënoi në portën e vet në tentim për ta larguar topin.

Ndeshjen e ardhshme, Zvicra takohet me Gjeorgjinë, ndërsa Irlanda me Danimarkën. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart