Zuckerberg: Qeveritë të bëjnë më shumë për kontrollimin e internetit


Gazeta Express
31 Mars 2019 18:47

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, ka pranuar se mediet sociale duhet të përmirësojnë akoma më shumë punën për kontrollin e postimeve nga ana e përdoruesve.

Reagimi i Zuckerberg lidhet edhe me transmetimin online në Facebook të sulmit terrorist që ndodhi në dy xhami në Zelandë të Re, pamje të cilat morën miliona shikime para se të fshiheshin nga rrjeti social.

Themeluesi i Facebook thotë se qeveritë e shteteve të ndryshme duhet të luajnë një rol më aktiv për kontrollin e internetit dhe përmbajtjes së saj. Në një artikull të Zuckerberg të botuar në “Washington Post”, ai thotë se e gjithë barra nuk duhet të bjerë mbi mediet sociale, por të kontribuojnë disa rregullatorë për të kontrolluar materialet që qarkullojnë në internet.

Zuckerberg shtoi se nëse qeveritë dhe rregullatorët luajnë një rol më aktiv për të kontrolluar internetin, “atëherë ne mund të sigurojmë më mirë lirinë e njerëzve për t’u shprehur dhe për sipërmarrësit që të krijojnë gjëra të reja, duke mbrojtur gjithashtu shoqërinë nga gjërat e dëmshme”.

Sipas tij, katër fushat ku ka nevojë për mbikëqyrje më të rreptë janë “artikujt me përmbajtje të dëmshme”, “integriteti i zgjedhjeve”, “privatësia” dhe “ruajtja e transferimit të të dhënave”, përcjell Tv Klan.

Megjithatë, Zuckerberg pranoi se edhe pse Facebook ka vendosur rregulla të forta, gjithmonë do të ketë gabime dhe vendime për të cilat njerëzit nuk do të jenë dakord.

Te fundit


Kthehu lart