Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025.
“ZRRE u bën thirrje të gjithë konsumatorëve të prekur që pa vonesë të kontaktojnë një furnizues të licencuar dhe të nënshkruajnë marrëveshje komerciale për furnizim me energji elektrike. Mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerjen automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025, përkatësisht sipas afatit gjashtëdhjetë (60) ditor, pasi furnizimi i garantuar përmes FMF nuk do të jetë më i vlefshëm ligjërisht”, tha ZRRE në njoftim.
Krahas kësaj thirrje, ZRRE mbrojti vendimet e saj për liberalizimin e tregut, duke thënë se edhe gjykatat i kanë vlerësuar si të ligjshme vendimet e saj.
“Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është një proces që po zbatohet në përputhje të plotë me ligjin dhe praktikat më të mira rregullatore. Me kënaqësi ju informojmë se edhe Gjykatat, në rastet e shqyrtuara lidhur me këtë proces, kanë vlerësuar si të ligjshme dhe të bazuara vendimet e ZRRE-së, duke konfirmuar se veprimet tona janë në përputhje me kornizën ligjore në fuqi”.