Kryetari i sapozgjedhur i New York City, Zohran Mamdani, shënoi inaugurimin e tij më 1 janar me një festë publike në rrugë, të hapur për qytetarët.
Por krahas festës, politikani i krahut të majtë publikoi edhe një listë të gjatë sendesh të ndaluara, e cila ka shkaktuar reagime dhe habi të mëdha.
Natyrisht, armët, eksplozivët dhe substancat e paligjshme janë të ndaluara. Por lista shkoi shumë më tej, duke përfshirë edhe karrocat e fëmijëve, pajisjen Flipper Zero dhe kompjuterët miniaturë Raspberry Pi – dy produkte teknologjike plotësisht legale dhe të përdorura gjerësisht.
Flipper Zero është një pajisje e vogël dore që mund të ndërveprojë me sinjale pa tela si çelësa elektronikë, karta RFID dhe Bluetooth, shpesh e përshkruar si “thika zvicerane” e hakerimit.
Ndërkohë, Raspberry Pi është një kompjuter i vogël dhe i lirë, i përdorur zakonisht për programim, projekte elektronike dhe aplikacione bazë softuerike.
Të dyja pajisjet kanë porta hyrje-daljeje të programueshme, të cilat teorikisht mund të lidhen me komponentë të jashtëm dhe të keqpërdoren për ndërhyrje teknike apo sabotim. Megjithatë, ekspertë të teknologjisë vënë në dukje se ndalimi i këtyre pajisjeve është i pazakontë, sidomos kur laptopët – shumë më të fuqishëm dhe fleksibël – nuk janë të ndaluar.
Lista e ndalimeve u bë virale në rrjetet sociale. Një përdorues shkroi me ironi:
“Sipas Zohran Mamdanit, këto gjëra i përkasin së njëjtës kategori: substanca të paligjshme, armë, eksplozivë dhe Raspberry Pi.”
Një tjetër shtoi:
“Karroca e fëmijëve është pjesa më absurde – duket sikur është kundër bebeve.”
Mamdani krijoi një faqe zyrtare për inaugurimin, ku përfshihen pyetje-përgjigje për pjesëmarrësit. Në seksionin “Çfarë duhet të vesh dhe çfarë duhet të sjell”, renditet edhe lista e sendeve të ndaluara.

Qytetarët u këshilluan që të vishen trashë, për shkak të motit të ftohtë, me kapele, shall, doreza dhe ngrohëse për duar e këmbë. U lejuan çanta të vogla ose çanta shpine me sende personale, por të gjitha u kontrolluan; çantat e mëdha u ndaluan. U lejuan termose me pije të ngrohta jo-alkoolike dhe ushqime të lehta.
Lista e ndalimeve përfshinte: Çanta të mëdha, armë, fishekzjarrë dhe eksplozivë, dronë ose mjete fluturuese me telekomandë, karroca fëmijësh, frigoriferë portativë, karrige, batanije, çadra, biçikleta dhe skuterë, pije alkoolike, substanca të paligjshme, kafshë (përveç atyre të shërbimit), objekte që pengojnë pamjen e të tjerëve, stilolapsa lazer, shkopinj ose shufra, si dhe pajisjet Flipper Zero dhe Raspberry Pi.
Një përdorues në platformën X ironizoi:
“Inaugurimi i Zohran Mamdanit ka ndaluar… Raspberry Pi. Nuk është shaka. Për të gjithë ata që donin të sillnin kompjuterin e tyre të vogël me Linux – Zohran thotë: ‘Jo kaq shpejt!’”
Një tjetër komentoi:
“Duke gjykuar nga lista e ndalimeve, kjo është festa më e mërzitshme ndonjëherë. Pse të lodhesh fare?”
Mamdani u betua zyrtarisht si kryetar bashkie në mesnatën e Vitit të Ri, në një ceremoni të vogël brenda stacionit të vjetër dhe të braktisur të metrosë City Hall. Të pranishëm ishin familja e tij dhe Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut, Letitia James, e cila administroi betimin.
Ai fitoi zgjedhjet me 50.78 për qind të votave, mbi 9.4 pikë përqindje më shumë se rivali i tij më i afërt, Andrew Cuomo. Bordi i Zgjedhjeve raportoi se 735,317 fletëvotime u hodhën gjatë votimit të parakohshëm – më shumë se pesëfish krahasuar me vitin 2021 – ku 56 për qind e votuesve ishin 55 vjeç e poshtë.
Ky ishte një ndryshim i dukshëm nga ditët e para të votimit të parakohshëm, të dominuara nga votuesit e Gjeneratës X dhe Baby Boomers.
Tek Gjenerata Z, premtimet e Mamdanit shihen si ambicioze dhe premtuese. Por për shumë njujorkezë të vjetër, ato kujtojnë qytetin e viteve ’70 dhe ’80, të shënuar nga krimi dhe kaosi.
Ai ka premtuar ngrirjen e qirave për të gjithë qiramarrësit me qira të rregulluara dhe trefishimin e fondit të banesave publike, të subvencionuara dhe të përballueshme. Po ashtu, synon ndërtimin e 200,000 njësive të reja banimi brenda dhjetë vjetësh, me një kosto të vlerësuar prej 100 miliardë dollarësh.
Mamdani, i cili është shpërngulur nga Uganda në SHBA në moshë të vogël dhe ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në Nju Jork, ka premtuar gjithashtu transport publik falas me autobusë dhe dyqane ushqimore të drejtuara nga shteti, të fokusuara – sipas tij – “në mbajtjen e çmimeve të ulëta, jo në fitim”.
Kritikët paralajmërojnë se heqja e biletave të autobusëve do të hiqte miliarda dollarë të ardhura dhe mund të ulte cilësinë e shërbimit, duke hapur rrugë për më shumë krim dhe çrregullim. Supermarketet shtetërore do të vareshin nga subvencione dhe do të konkurronin padrejtësisht tregun privat, duke krijuar një barrë të re për taksapaguesit.


Për të financuar këto premtime, Mamdani ka paralajmëruar rritje me dy për qind të tatimit mbi të ardhurat për qytetarët që fitojnë mbi 1 milion dollarë në vit dhe rritjen e taksës së korporatave nga 7.25 në 11.5 për qind.
Kundërshtarët parashikojnë një largim masiv të kapitalit dhe individëve të pasur drejt shteteve me taksa më të ulëta si Florida dhe Teksasi – një skenar që, sipas tyre, mund të godasë rëndë financat e qytetit dhe t’i bëjë premtimet e reja të papërballueshme. /GazetaExpress/