Zharku është ftuar si dëshmitar në hetimet për 53 milionëshin për Bechtel-Enka’n


Gazeta Express
3 Qershor 2019 22:34

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i është kthyer edhe njëherë çështjes së 53 milionë eurove, të cilat Qeveria Haradinaj ia dha Bechtel & Enkas, në emër të vonesave të pagesave.

Për këtë, Pal Lekaj, ministër aktual i Infrastrukturës, si dhe qeveria aktuale e akuzojnë qeverisjen e kaluar dhe Lutfi Zharkun si ish-ministër i Infrastrukturës.

Por ky i fundit vazhdon të insistojë se shuma që është dashur që Kosova t’ia paguajë Bechtelit vetëm pak mbi 14 milionë euro.

“Po bëhen gati 1 vit kur e kemi pasur në Kuvend interpelancën për këto 53 milionë, unë kam mbajtur gjysmë ore duke ua marrë kohën edhe kolegëve deputetë të LDK-së. Kjo shumë, pra 53 milionë euro, nuk është në përputhje as me kontratën me Bechtel & Enkan të cilën e menaxhon Hill International si dhe ligjet në fuqi”, ka thënë Zharku në Puls të KTV-së.

“Shuma e vetme ligjore që është dashur të paguhet ka qenë rreth 14 milionë euro. Çdo shumë tjetër që është paguar përtej kësaj shume, është e jashtëligjshme”, ka thënë Zharku.

Ai ka konfirmuar çështjen e hetimeve mbi këtë shumë.

“Jam thirr në cilësinë e dëshmitarit nga Policia e Kosovës për çështjen e 53 milionëshit”, ka thënë Zharku.

“Nuk e di si ta quaj, por rastet e tilla janë tipike korruptive”, ka thënë Zharku. “Çka ka ndryshuar që brenda 7 muajsh 14 milionëshi u bë 53 milionë”, ka thënë ai si pyetje që duhet shtruar.

Te fundit


Kthehu lart