Zhak, filmi i animuar kosovar me buxhet 4 milionë euro


Gazeta Express
12 Qershor 2019 1:03

Zhak është filmi i animuar kosovar, i zhanrit fantazi dhe magji, i cili ka marrë një formë. Filmi që ka producent kosovar ka një buxhet të madh prej afër 4 milionë euro dhe rrugëtimin e filloj në vitin 2016. Premiera e filmit pritet që të bëhet në Los Angeles

Një film i animuar që tregon kulturën shqiptare që bazohet në përrallë.

Ky është projekti i neofilms pro të cilët këtë produksion e filluan në vitin 2016 ka një buzhet prej katër milionë eurosh.

ZHAK si film i animuar i metrazhit të gjatë, kurse ai do të këtë një kualitet 3D, kurse është i përkrahur edhe nga teknologjia Real D-3D dhe IMAX, që është risi për Kosovën dhe rajonin.

Në filmin ‘Zhak’ lufta midis të mirës dhe të keqes modelohet në tri dimensione themelore:

Aventurë përrallore: Zhaku si kalorës antik ilir, përkujdeset për Babën e verbër dhe për Motrën e pamartuar. Dy vëllezërit e tij, Kuqaloshi dhe Nxihuni, kanë dalë me kohë në Mbretërinë e Nëntokës për ta kërkuar barin për shërimin e syve të Babës së verbër, por nuk janë kthyer më. Flitet se Shtriga e Errësirës ka vënë pushtet mbi Mbretërinë e Nëntokës dhe… vëllezërit e Zhakut ose i ka bërë guri ose i ka shndërruar në shërbëtorë të përvuajtur. Zhaku, më në fund, niset vet në aventurë për ta gjetur barin për shërim të syve, për t’i kërkuar vëllezërit dhe për ta shpëtuar Mbretërinë e Nëntokës nga Shtriga e Errësirës.

Dramë familjare: Në filmin ‘Zhak’ shquhet determinizmi përrallor i fatit të individit dhe të shoqërisë që janë të lidhur ngushtë mes veti dhe kushtëzojnë njëri tjetrin. Kjo ndodh me fatin e vajzave të Mbretit Plak dhe me fatin kolektiv të Mbretërisë së Dritës. Vajza e madhe e Mbretit Plak e gjuan shigjetën e fatit dhe ajo bie në Mbretërinë e Nëntokës- sipas zakonit ajo bëhet gruaja e Mbretit të Nëntokës. Vajza e dytë e Mbretit Plak gjuan shigjetën e fatit dhe shigjeta bie në oborrin e Kështjellës Magjike të Shpirtit të Lig- sipas zakonit ajo bëhet gruaja e Shpirtit të Lig që e shndërron në gjysmë grua dhe në gjysmë Shtrigë të Errësirës. Vajza e vogël e Mbretit Plak e gjuan shigjetën e fatit, por ajo i kthehet pingul teposhtë dhe bie mu para këmbëve të saj- sipas zakonit vajza nuk mund të martohet, por bëhet Mbretëresha e Dritës, e zëvendëson Mbretin Plak në fron dhe e sundon njerëzishëm Mbretërinë e Dritës.

Konflikti midis mbretërive:  Mbretëria e Dritës dhe Mbretëria e Nëntokës zakonisht jetojnë në harmoni dhe zhvillojnë respekt të ndërsjellë duke respektuar ligjet mbretërore. Mirëpo fati i zi i vajzës së dytë të Mbretit Plak që u shndërrua në Shtrigë të Errësirës ndryshon gjithçka. Ajo nuk pajtohet me fatin e vet, e vret Mbretin Plak kur i shkon në vizitë dhe, për më keq, braktiset dhe ndëshkohet edhe nga vetë burri i vet – Shpirti i lig për shkak të vrasjes familjare. Shtriga e Errësirës, me ndihmën e divave të pyllit magjik, lirohet nga shpella dhe kthehet në Kështjellën e Magjike, organizon shërbëtorë, gjallesa të këqija dhe njësit special me të cilët pushton Mbretërinë e Nëntokës, vret, plaçkitë, shndërron njerëz në guri ose i magjepsë keq nëpër trajta të përçudshme. Vëllezërit: Lavërtarin- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës- e shndërron në Shtrigan të Kështjellës Magjike; Mullisin- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës – e shndërron një Cicërmic me njësit të kërpudhave dhe e vë në krye të Mbretërisë së Nëntokës; kurse Bariun- që dashurohet në Mbretëreshën e Dritës dhe nuk pranon kushte në dashuri- nga inati e shndërron në guri. Njësitet e kërpudhave- në krye me Cicërmicin dhe njësiti special i Shtrigës së Errësirës shpesh dalin edhe në Mbretërinë e Dritës dhe shkatërrojnë fshatra përreth.

Zhaku- me aventurën e vet shërben si bosht fabular dhe syzheik për ta realizuar aventurën përrallore, dramën familjare dhe për ta zgjidhë konfliktin midis mbretërive duke dëshmuar idealin njerëzor se e mira duhet të ngadhënjejë mbi të keqen, gjegjësisht drita mbi errësirën…

Regjisor i filmi është Dalip Gashi, kurse ndihmës regjisore dhe skenariste është Iliriana Bejta. Ende nuk dihet se kush janë aktoret që kanë huazuar zërin për të luajtur me karakteret në këtë film. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart