Zgjedhjet në Tiranë, Veliaj kërkon në Gjykatë Kushtetuese pezullimin e dekretit të presidentit - Gazeta Express
string(93) "zgjedhjet-ne-tirane-veliaj-kerkon-ne-gjykate-kushtetuese-pezullimin-e-dekretit-te-presidentit"

Shqiperi

Gazeta Express

02/10/2025 16:45

Zgjedhjet në Tiranë, Veliaj kërkon në Gjykatë Kushtetuese pezullimin e dekretit të presidentit

Shqiperi

Gazeta Express

02/10/2025 16:45

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë të re, ku kërkon pezullimin dhe më pas shfuqizimin e pjesshëm të dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, i cili ka caktuar 9 nëntorin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.

Kjo kërkesë vjen si një shtesë në ankimimin e mëparshëm të Veliajt ndaj vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij, që ndodhet aktualisht në shqyrtim në Kushtetuese. Në dokumentin e dorëzuar, Veliaj argumenton se dekreti i Presidentit është nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën, konkretisht me paragrafin 2 dhe 3 të nenit 115.

“Dekreti i Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë është nxjerrë në një moment kur kompetenca kushtetuese e Presidentit nuk kishte lindur ende. Neni 115 i Kushtetutës nuk i jep Presidentit një kompetencë të përgjithshme dhe të pakushtëzuar për të shpallur zgjedhje sa herë që një organ vendor shkarkohet nga Këshilli i Ministrave; përkundrazi, ai e lidh këtë kompetencë në mënyrë të qartë dhe kumulative me dy rrethana: (i) mosushtrimin e së drejtës së ankimit brenda afatit 15-ditor; ose (ii) lënien në fuqi të shkarkimit nga Gjykata Kushtetuese”,- thuhet në kërkesë.

Argumentit të Begaj se Veliaj duhet të ankimonte shkarkimin e tij në Gjykatë Administrative dhe jo në Kushtetuese, kryebashkiaku i Tiranës i kundërpërgjigjet duke thënë se “edhe vetë Gjykata Kushtetuese, pyetur nga mediat në datë 30.09.2025 ka konfirmuar se në përputhje me Nenit 115 të Kushtetutës, në rast ankimi, vendimmarrja e mëtejshme lidhur me zgjedhjet në këtë bashki “pezullohet automatikisht”.  

Po ashtu, Veliaj argumenton se dekreti i Presidentit që cakton datën e zgjedhjeve në një bashki ku vendimi i shkarkimit është pezulluar në bazë të nenit 115/2 të Kushtetutës, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore

” Autonomia vendore, siç garantohet në nenin 13 të Kushtetutës dhe në aktet ndërkombëtare për vetëqeverisjen vendore, nuk është një atribut abstrakt, por realizohet konkretisht përmes përfaqësimit legjitim që ka një individ i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë për të ushtruar funksione publike në nivel vendor. Në këtë kuptim, Kryetari i Bashkisë nuk është thjesht një funksionar që mban një post administrativ; ai është shprehja institucionale e sovranitetit qytetar dhe mishërim i drejtpërdrejtë i demokracisë përfaqësuese. Për këto arsye, mandati i tij gëzon mbrojtje të posaçme kushtetuese përballë ndërhyrjeve të parakohshme të pushtetit qendror. Pikërisht për këtë arsye, neni 115 i Kushtetutës sanksionon pezullimin ipso jure të efektit të shkarkimit deri në vendimin të Gjykatës Kushtetuese, si një garanci materiale dhe proceduriale për vazhdimësinë e përfaqësimit vendor dhe për të ndaluar çdo ndërhyrje të njëanshme (interventus unilateralis) që do të zëvendësonte një mandat ende të papërfunduar”,- arsyeton Veliaj.

Kryebashkiaku thekson se zbatimi i dekretit të Presidentit, përpara se Gjykata Kushtetuese të ketë vendosur mbi ligjshmërinë e shkarkimit, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda.

“Pasojat e mundshme janë:

(1) Organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakancë juridike do të ishte një proces nullus effectus, i paqëndrueshëm juridikisht, që do të cënonte integritetin e sistemit zgjedhor dhe do të vinte në dyshim çdo rezultat të dalë prej tij.

(2) Institucionet shtetërore, përfshirë KQZ-në, do të detyroheshin të shpenzonin burime njerëzore, administrative dhe financiare për zbatimin e një dekreti potencialisht antikushtetues, duke prodhuar dëm publik të pajustifikuar.

(3) Qytetarët e Tiranës do të përballeshin me një proces zgjedhor të imponuar politikisht, mbi një mandat ende në fuqi, duke cenuar besimin në rendin kushtetues dhe duke krijuar pasiguri politike e institucionale, përfshirë rrezikun e anulimit të mëvonshëm të zgjedhjeve si të pavlefshme”,- argumentojnë avokatët e Veliajt,