Mustafa në 1-vjetorin e Demarkacionit godet Vjosa Osmanin, Anton Qunin e Arben Gashin


Gazeta Express
21 Mars 2019 15:13

Isa Mustafa siç duket ka akumuluar mllefin për të shpërthyer në njëvjetorin e ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Ai i ka goditur të gjithë ata që po ia bllokonin Demarkacionin sa ishte kryeministër, përfshirë edhe deputetët e tanishëm të LDK-së, Vjosa Osmanin, Anton Qunin, Arben Gashin.

Albioneta Ademi

Kur shprehu të gjithë mllefin për opozitën e atëhershme të orkestruar nga Ramush Haradinaj e Albin Kurti, Mustafa shkroi se ndjen përgjegjësi që me të njëjtat akuza t’i veshë deputetet e partisë së tij.

Disa prej deputetëve të tanishëm të LDK-së, duke u nisur nga Vjosa Osmani, Anton Quni e Arben Gashi, gjatë Qeverisë Mustafa kishin kundërshtuar votimin e demarkacionit.

Dukej që Mustafa ishte pajtuar me deputeten Osmani, të cilën mezi e futi në listë të deputetëve pasi ia kishte bërë opozitën gjatë qeverisjes së tij.

Megjithatë, pak para zgjedhjeve të LDK-së, kur Vjosa Osmani pritet të jetë një kandidate për kryetare të partisë, Mustafa ia ka treguar vendin përmes një statusi në rikujtim të demarkacionit. 

“Valla, e ndiej të nevojshme por edhe përgjegjësi para opinionit dhe anëtarësisë së LDK-së, të pyes edhe disa deputetë të LDK-së, partisë që unë e drejtoj, pse me aq popullizëm e kundërshtuan demarkimin kur LDK-ja ishte në krye të Qeverisë, e me aq dashuri e votuat, kur LDK-ja u rrëzua nga Qeveria” , ka shkruar kreu i LDK-së.

Presidenti Hashim Thaçi një vit më parë nënshkroi një “aneks-marrëveshje” me presidentin malazez se kufiri do të rishikohej, atëherë të gjithë deputetët e LDK-së dhanë votën pro demarkacionit.

Mustafa tani i pyet të gjithë këta që ndërruan fjalët për demarkacion se pse nuk po flasin tani dhe pse nuk po kërkojnë që kufiri të vendoset në Çakorr e në Zhlep, ashtu ku pretendonin se është të gjithë skeptikët e marrëveshjes.

“Pse nuk po iu dëgjohet zëri sot? Pse sot s’po kërkoni që kufiri të kthehet në Çakorr e në Zhleb? Çfarë ndodhi me ju? Kush ju qiti fall?”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Përveç kësaj, ai thotë se të gjithë kundërshtarët e marrëveshjes fillestare e kanë pasur vetëm për vota e për pushtet.

“Pranone, gjithë ju, se e keni pasur vetëm për vota dhe pushtet. Pranone edhe fajin që i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos tuaj”.

Ndryshe, Gazeta Express ka shkruar për grupin e deputetëve të LDK’së, që kishin ndryshuar qëndrimin për Demarkacionin, pas ndërrimit të Qeverisë.

Një vjet më parë, Express kishte pyetur deputetët Quni dhe Gashi nëse janë bindur rreth marrëveshjes së Demarkacionit, e ata kishin thënë se “ka unitet të Grupit Parlamentar të LDK’së rreth kësaj teme [ratifikimit të demarkacionit]”.

Atë kohë për unitet të partisë rreth çështjes së Demarkacionit kishte folur edhe Gashi, që po ashtu gjatë qeverisjes së kryetarit të LDK’së, ishte shprehur kundër marrëveshjes.

Vjosa Osmani, e pyetur nga Gazeta Express rreth akuzave të Mustafës për këtë grup të deputetëve, ajo nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Demarkacioni me Malin e Zi u votua mes gazit lotsjellës të hedhur nga Vetëvendosje më 21 mars me votat e 2/3 të deputetëve, tri vjet pasi ishte nënshkruar shënimi i kufirit me Malin e Zi.

Marrëveshja kishte të përfshirë një raport të nxjerrë nga komisioni i formuar nga Qeveria Haradinaj, e i udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, ish-deputet i LDK-së, që përkrahte qëndrimin e opozitës.

Po ashtu ishte shtuar edhe një “aneks-marrëveshje” thekson dy nene të marrëveshjes së nënshkruar më 2015, ku lejohet korrigjimi i demarkimit të kufirit edhe pasi Projektligji të ratifikohet. /Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart