Misioni i OSBE-ODIHR ka vlerësuar si transparent dhe të organizuar në mënyrë profesionale zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.
“Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë. Në një klimë tejet të polarizuar, ata dolën, morën pjesë dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohet. Që nga votuesit që votuan për herë të parë, deri tek ata nga jashtë shtetit dhe vëzhguesit, ata janë zemra e këtij procesi demokratik”, u shpreh përfaqësuesja e OSBE-ODIHR në konferencën për shtyp.
Sipas misionit, procesi zgjedhor ishte konkurrues, por u zhvillua në një klimë të polarizuar politike dhe kandidatët nuk patën mundësi të barabarta.
OSBE/ODIHR vlerësoi gjithashtu Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin e një procesi të hapur dhe transparent, si dhe punën e administratës zgjedhore në mbi 95% të qendrave të votimit.
Një tjetër aspekt i vlerësuar ishte roli i SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore.
“SPAK luajti rol pozitiv në hetimin e korrupsionit zgjedhor, ashtu edhe mekanizmi i ri koordinues që mundësoi shkëmbim më të mirë informacioni për krimet zgjedhore. Megjithatë u vu re një efekt frenues i mundshëm”, theksoi misioni, duke shtuar se do të vijojë bashkëpunimi me parlamentin dhe forcat politike në funksion të interesit publik.