Zëri Amerikës: Studim mbi lajmet e rreme në mediat shqiptare - Gazeta Express
string(59) "zeri-amerikes-studim-mbi-lajmet-e-rreme-ne-mediat-shqiptare"

Gazeta Express

19/02/2020 18:51

Zëri Amerikës: Studim mbi lajmet e rreme në mediat shqiptare

Gazeta Express

19/02/2020 18:51

Në Shqipëri, sipas një studimi, janë përhapur vitin e kaluar mesatarisht 12 lajme të rreme me ndikim çdo muaj.

Autorët e këtij monitorimi mbi mediat shqiptare pohuan se pjesa dërrmuese e këtyre lajmeve të rreme nuk verifikohen as nga ribotimet e shumta të tyre.

Lexo Edhe:

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë publikoi sot një monitorim mbi mediat online, të cilat vitin e kaluar përhapën 132 lajme të rreme, ose të paktën 12 lajme të rreme çdo muaj.

Vëzhgimi zbuloi se lajmet e rreme preknin një numër të madh qytetarësh qysh nga nxënësit e shkollave dhe studentët e universiteteve, e deri tek tifozët e futbollit.

Në shumicën e rasteve burimi i lajmeve të rreme janë portale të reja dhe portalet e mediave tradicionale, por nuk mbeten pas as rrjetet sociale të privatëve dhe të zyrtarëve e të zyrave të shtypit.

Një pjesë e konsiderueshme e lajmeve të rreme gjatë vitit të kaluar ishin shumëfishuar me ribotime nga media të tjera.

“Në pjesën më të madhe autorët e këtyre teksteve nuk verifikojnë faktet nga disa burime informacioni, dhe i publikojnë këto gjysmë lajme e gjysmë gënjeshtra, në mënyrë të qëllimshme ose jo, duke u rimarrë e rimarrë shpesh nga media të tjera, që edhe ato nuk verifikojnë faktet, edhe pse shohin, që tekstit I mungojnë shumë elementë” – thotë Erblin Vukaj, bashkautor i studimit.

Ribotimet shihen nga vëzhguesit si një hap joprofesional, sepse ato nuk shtojnë, nuk heqin apo nuk verifikojnë asgjë nga teksti i parë, pa u shqetësuar nëse ai është apo jo një lajm i vërtetë.

Autorët e studimit komentuan si një shqetësim në rritje shpërdorimin e mundësive elektronike të gazetarisë qytetare për të përhapur lehtësisht lajme të rreme, të cilat hidhen fillimisht në rrjetet sociale, më pas kopjohen nga mediat online dhe më pas përvetësohen edhe nga mediat tradicionale.

Një tjetër gjetje e vëzhgimit është që ndonëse kanë mijëra e madje miliona ndjekës, disa portale shpërndajnë gjysmë të vërteta, dhe rrjete apo media të tjera kopjojnë prej tyre gjysma lajmesh të paverifikuara, madje duke kaluar dorë pas dore dhe pa e cituar njëra tjetrën, këto lajme të rreme humbin gjurmët e autorit të parë.

Një dukuri e ngjashme vjen edhe nga deklaratat e politikanëve dhe zëdhënësave, sa herë që përhapin materiale mbi veprimtarinë e tyre.

Një grup mediash sapo kanë krijuar Aleancën për Media Etike dhe kanë ftuar gjithë komunitetin shqiptar të shtypit të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve të shumta të medias përmes etikës dhe bashkëpunimit.

Shumica socialiste miratoi në parlament një paketë ligjore të mbiquajtur mbi antishpifjen, për të frenuar, siç tha qeveria, lajmet e rreme, por nga ana tjetër kjo nismë shtoi alarmin e mediave, sipas të cilave, qeveria po ngrinte një zyrë censure, nën alibinë e luftës kundër lajmeve të rreme.

E mbiquajtura paketa antishpifje e qeverisë, e rikthyer në parlament, u debatua mbi 15 muaj dhe mori një seri kritikash e korrigjimesh nga OSBE-ja BE-ja, KiE-ja dhe nga shumë organizata të mediave shqiptare e ndërkombëtare, që vëzhgojnë lirinë e shprehjes e të shtypit dhe që aspirojnë për vetë-rregullimin si mënyra më e mirë./zëri amerikës