Zeman: Nëse Kosova do të qeverisej nga parti demokratike nuk do ta kërkoja heqjen e njohjes


Gazeta Express
12 Shtator 2019 17:14

Pas përfundimit të vizitës në Serbi, presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, ka folur edhe një herë për temën e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shpjeguar se pse po e mbanë një qëndrim të tillë, shkruan Gazeta Express.

Zeman ka thënë se në rast se Kosova do të udhëhiqej nga parti demokratike, nuk do të kërkonte asnjëherë tërheqjen e njohjes së pavarësisë.

“Fatkeqësisht partitë demokratike në Kosovë kanë një përfaqësim shumë të dobët”, ka thënë Zeman në një konferencë para gazetarëve teksa ka folur për vizitën e tij në Beograd.

Para gazetarëve cek Zeman ka thënë se ka dy argumente se pse po e kërkon heqjen e njohjes për pavarësinë e Kosovës.

Një nga to është një rezolutë e Kuvendit të Çekisë në të cilën kërkohej tërheqja e njohjes së pavarësinë e Kosovës, por që një nismë e tillë nuk ishte respektuar nga kryeministri i asaj kohe, Mirek Toplanek, ka thënë Zeman për agjencinë e lajmeve çeke “CTC’,  transmeton Gazeta Express.

 “Argumenti tjetër është që Tribunali i Hagës që po merret me krimet e luftës të kryera në Kosovë. Ju duhet të dini që politikanët që drejtojnë atje janë të udhëhequr nga një kryeministër që po hetohet për krime luftës, disa të tjerë janë për krime ekonomike. Unë do të bëj përpjekje t’i jap këto argumente” ka shtuar tutje Zeman.

Ai ka thënë se nuk do të kërkonte diçka të tillë nëse në Prishtinë do të qeverisnin parti të cilat nuk janë të ngarkuara nga e kaluara.

Zeman ka folur edhe për Samitin e Presidentëve të Grupit të Vishegradit të mbajtur në vitin e kaluar, dhe për faktin që nuk e kishte ftuar presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin. Ai thotë se një gjë të tillë e kishte bërë me qëllim.

“Unë do të doja pajtimin mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve. Por një gjë tjetër është dëshira, dhe tjetër çka realiteti” ka thënë presidenti cek.

Në fund ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj produkteve të Serbisë, duke thënë nuk është një hap përmes të cilit arrihet deri tek kompromisi.

Rreth deklaratave të presidentit Zeman në një konferencë për media ka folur edhe kryeministri i Çekisë, Andrej Babish, duke potencuar se këto deklarata të presidentit të tij nuk janë asgjë e re.

Babish ka thënë se nuk sheh asnjë arsye që shteti i tij të ndërroj qëndrim ndaj shtetit të Kosovës.

“Politika e jashtme e Çekisë, është gjithmonë në duar të qeverisë. Nuk shoh asnjë arsye, që Çekia të ndryshoj qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Babish./GazetaExpress

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart