Zbulohet arsyeja e dëmtimit të statujës së Kosovare Asllanit


Gazeta Express
18 Qershor 2019 11:54

Gjatë fundjavës së kaluar, statujës së Kosovare Asllanit në Suedi iu thye krahu i majtë. Zëdhënësi i Vimmerby IF – klubit ku ndodhet statuja e futbollistit – David Lindgren, beson se dëmtimi ishte aksidental.

Katër nga yjet e Kombëtares së Suedisë u nderuan me nga një statujë në vendlindjen e tyre para se të fillonte Kampionati Botëror i Vajzave. Njëra ndër këto vajza është edhe Kosovare Asllani, transmeton Gazeta Express.

Asllanit iu ndërtua statuja për shkak të karrierës së saj të jashtëzakonshme me Kombëtaren e Suedisë. Statuja e saj u vendos pikërisht në fushën që e mban emrin e Asllanit, ku stërviten futbollistët e Vimmerby IF, me të cilët Kosovarja e filloi karrierën.

Krahu i majtë i statujës së futbollistes me nofkën “Kosses” është thyer, ndërsa fotografitë e publikuara nga mediat suedeze tregojnë se mirëmbajtësit e “Asllani Court” tentuan ta kthejnë atë në gjendjen e mëparshme duke e ngjitur krahun në trupin e statujës sërish.

Zëdhënësi i Vimmerby, klubit që luan në “Asllani Court” beson se dëmtimi nuk ishte i qëllimshëm, por aksidental.

“Statuja duket më e qëndrueshme sesa që është në të vërtetë. Është e pamundur që ajo të qëndrojë gjithmonë në atë pozitë. A e bëri dikush qëllimisht? Jo, nuk mendoj ashtu. Nëse dëshiron ta thyesh, mund ta bësh këtë shumë më mirë. Jam i sigurt se ishte aksident”, ka thënë zëdhënësi i Vimmerby, David Lindgren.

“E kam parë që ju i keni bërë shumë fotografi kësaj statuje dhe ndoshta dikush është mbajtur me më forcë sesa që duhet te krahu. Nuk duhet shumë forcë për ta dëmtuar atë”.

Vimmerby e ka mbuluar të çarën duke e vendosur shiritin e kapitenes mbi atë pjesë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart