Zbulohen detajet e kontratës së De Ligtit me Juventusin


Gazeta Express
16 Korrik 2019 23:31

Matthijs de Ligti do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me Juventusin dhe në këtë kontratë do të ketë klauzolë për t’u larguar për 150 milionë euro, e cila megjithatë nuk do të jetë e vlefshme deri në qershor të vitit 2021.

Mbrojtësi i Ajaxit arriti në Torino të martën në mbrëmje, me një aeroplan privat, dhe dha deklarata për faqen zyrtare të Juventusit në rrjetet sociale, transmeton Gazeta Express.

Ai do t’i kryejë testet mjekësore nesër në mëngjes, para se ta kompletojë transferimin e tij për 75 milionë euro dhe Sky Sports Italia raporton se në kontratën e tij pesëvjeçare ai e ka një klauzolë.

Ky medium i famshëm sportiv raporton se De Ligti dëshironte që të ketë klauzolë për shkëputje të kontratës, megjithatë, ajo nuk do të jetë e vlefshme për dy sezonet e tija të para në “Allianz”.

Klauzola për shkëputjen e kontratës, në vlerë prej 150 milionë eurosh, mund të aktivizohet vetëm nga qershori i vitit 2021, por do të ngrihet në çmim me kalimin e çdo viti, për shkak të përvojës që holandezi e fiton.

Tash e disa javë është raportuar se ai do të paguhet 7.5 milionë euro në vit, si dhe do të ketë shtesa që bëjnë që ai t’i fitojë deri në 12 milionë euro brenda sezonit.

De Ligti kishte pasur oferta gjatë këtij afati kalimtar të verës edhe nga klube si Barcelona, Paris Saint-Germaini dhe Manchester Unitedi. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart