Zbulimi i arsenalit të armëve në Elbasan, i “pren kokën” 4 punonjësve të policisë


Gazeta Express
21 Korrik 2019 23:22

Një ditë pas zgjedhjeve lokale, që korrespondon edhe me një atentat me armë zjarri ndaj dy vëllezërve në Elbasan, njëri prej të cilëve mbeti i vrarë, Policia zhvilloi një operacion, duke zbuluar një arsenal armësh.

Një njësi e repartit special RENA dhe policia lokale kanë zhvilluar kontrolle në të gjithë territorin e vendit, por në një magazinë në Papër të Elbasanit, janë gjetur dhe sekuestruar disa armë zjarri. Burime të rezervuara nga Policia thanë se janë bllokuar 7 automatikë, 5 pistoleta, dylbi, fishekë dhe një automjet fuoristradë.

Megjithatë, për këtë operacion nuk u dha asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit, që në rastin më të mirë mund të ishte ende në hetim e sipër për arrestimin e ndonjë të dyshuari. Deri tani, përveç armëve, që dyshohet se i përkasin një grupi kriminal, ende nuk ka asnjë person të ndaluar.

Kjo mund të jetë arsyeja pse Policia ende nuk ka dhënë detaje rreth operacionit. Ndonëse aksione edhe më pak të rëndësishme, në shumë raste të mëparshme, janë prezantuar me bujë nga drejtues të lartë Policie. Por sikur të mos mjaftonte fshehja e këtij operacioni, që në fakt rezulton të jetë me shumë rëndësi, pasi me disa prej armëve dyshohet të jenë kryer edhe vrasje, pasi lajmi u publikua në media, nisi ecuri disiplinore për 4 oficerë.

Arsyetimi: Kanë dekonspiruar operacionin. Çështja nuk mbeti vetëm me kaq, pasi dje Ministria e Brendshme njoftoi se SHÇBA ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Elbasanit, që kishte caktuar masat “Pezullim të ushtrimit të detyrës” për 4 punonjës Policie në nivel drejtues. Konkretisht, Gjykata ka marrë këtë vendim për Bilal Semanajn, shef i Komisariatit të Cërrikut, Albion Xhitozin, shef i Krimeve në Komisariatin e Cërrikut, Edvin Gjylin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit dhe Eduart Hasanin, specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Elbasanit.

Në këtë mënyrë, operacioni sekret, që zbuloi arsenalin e armëve, bëri “kurban” 4 oficerë Policie, që të paktën ne që e publikuam këtë lajm, edhe pse disa ditë me vonesë, nuk na rezulton të kenë dhënë asnjë informacion. Ndërsa për SHÇBA-në dhe Prokurorinë e Elbasanit, ata akuzohen për shpërdorim detyrë dhe zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete./Panorama

Te fundit


Kthehu lart