Zana Ramadani e shpalos Prishtinën në ekspozitën e tretë personale


Gazeta Express
6 Shtator 2019 12:06

Artistja Zana Ramadani ka lindur dhe është rritur në Prishtinë.

Edhe sot ajo jeton në kryeqytet, prandaj lidhja e fuqishme e saj me qytetin nuk ka se si të mos reflektohet edhe në punën e saj.

Dy katet e Europe House – Shtëpisë së Evropës në kryeqytet mbrëmë u zbukuruan me punën artistike të Ramadanit, e cila e hapi ekspozitën e saj të tretë personale – “Vendi im”.

Ngjyrat më të ndezura e të ngrohta e sollën Prishtinën e shpirtit të Zana Ramadanit para publikut në hapjen e ekspozitës.

“Prishtina është vendi ku kam lindë dhe jam profesionalizu. Këtu kam familjen, punën, dhe inspirimi im vjen prej këtu. Unë në natyrë dal dhe akumulohem ndërsa më pas inspirimin e shprehi në mundësitë e mia shprehëse” tregon Zana për KultPlus.

Kati i parë, në hyrje të Europe House, pasqyron pikturat e ciklit të ri për qytetin, në të cilin Zana po punon tash e gati dy vite. Kujtime të fëmijërisë, ndjenja, emocione që lidhen me Prishtinën vijnë në tablotë e Ramadanit.

Kati poshtë sjellë grafikat, linogdhendjet, akuantinat, bakër-shkrimin dhe teknikat tjera të cilat ajo i ka për zemër, por të cilat i marrim më shumë kohë pasi kërkojnë disciplinë të punës dhe përkushtim. Zana është skenografe tash e dy dekada, prandaj i duhet një barazim mes punës artistike dhe profesionit të saj.

“Sapo isha edhe në pushime, dhe më shumë kam qenë zgjuar natën, bashkë me familjen, për ta parë perëndimin e Diellit por edhe lindjen e Hanës, momente këto të cilat unë i marr brenda dhe më pas i reflektoj në artin tim”

“Grafika më merr shumë kohë, prej skicimit e modelimit e deri te realizimi, ndërsa pikturën e dua sepse është më ekspresive, më e lirshme, teknikisht më e thjeshtë. Gjithmonë mundohem mos ta lë anash edhe profesionin tim” tregon Zana.

Ekspozita “Vendi im” erdhi në hapësirën ekspozuese të Europe House – shtëpia ku prezantohet arti, dikur Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së.

Vjosa Berisha nga Europe House tregoi se ardhja e Zanës me ekspozitë veç sa e begaton këtë hapësirë dhe qasjen kulturore të cilën kjo hapësirë nuk e lë asnjëherë anash, duke sjellë artistë të rinj e të dëshmuar me punët e tyre më të reja.

Zana Ramadani është aktive në ekspozita kolektive, brenda dhe jashtë vendit, ndërsa bashkë me Eliza Hoxhën, Shqipe Kamberin, Mjellma Gorancin dhe Zake Prelvukajn përkujdesen ta shoqërojnë njëra tjetrën në grupin e tyre artistik. Së shpejti ato do t’i shohim në Bullgari, në Turqi e më pas edhe në Paris.

Punët e ekspozitës “Vendi im” janë në shitje. / KultPlus

Te fundit


Kthehu lart