Zaev pas grackës me rusët: Finalja Kosovë – Serbi, të jetë kompromis i pranueshëm nga dy palët


Gazeta Express
12 Korrik 2019 11:44

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka folur rreth grackës me komikët rusë, të cilët i janë paraqitur si ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ai thotë se në ato biseda telefonike nuk ka thënë asgjë më shumë e asgjë më pak se sa ato që i ka thënë edhe publikisht.

“Zgjidhja ime, të cilën e kam thënë edhe në bisedë (me komikët rusë), është që zgjidhja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet përmes një kompromisi të pranueshëm nga dy palët”, ka thënë Zaev në një intervistë për Tv Klan të Maqedonisë, raporton Gazeta Express.

Zaev ka thënë se në ato biseda telefonike nuk ka biseduar për diçka sekrete, por për tema të cilat janë duke u diskutuar hapur në të gjithë rajonin.

“Sigurisht që kam shprehur keqardhje për situatën e krijuar, dhe kam biseduar edhe me disa liderë në rajon rreth rastit. I kam dërguar një mesazh edhe presidentit Vuçiq”, ka thënë Zaev.

Kryeministri maqedonas pas publikimit në internet të bisedave, e ka pranuar se ka rënë pre e mashtrimit të dy komikëve rusë, me të cilët ka biseduar edhe rreth idesë për ndarje të Kosovës.

Teksa Zaev pretendonte që në anën tjetër të telefonit është Petro Poroshenko, me frikë i ka treguar për planin që Rama, Thaçi e Vuçiq, kanë për ta copëtuar Kosovën me ndihmën e Rusisë dhe Turqisë. /GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart