Zaev: Gjermanët po frikësohen nga Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën


Gazeta Express
6 Qershor 2019 11:20

Nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për fillim të negociatave, ekziston rreziku të bjerë Qeveria, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev. Në takim me gazetarët në Bruksel, Zaev ka thënë se shtyrja e vendimit në parlamentin gjerman dhe si pasojë shtyrja e datës për fillim të negociatave rrezikon përforcimin e fuqive nacionaliste dhe humbjen e shumicës në Kuvend. Edhe procesi i rikonstruktimit të Qeverisë, sipas kryeministrit, varet nga vendimi për datën.

“Nëse vendosin të mos na japin datë, do të ketë mundësi të rrëzohet Qeveria. Kjo qeveri stabile me të gjitha këto vendime pozitive, ka gjasa menjëherë ta humbë shumicën në Kuvend. Kjo për shkak se deputetëve u premtuam se sigurisht do të marrin vendim pozitiv nga BE-ja nëse ecim përpara. Kjo do të thotë se qytetarët do të inkurajohen të mbështesin nacionalizimin, radikalizmin dhe kjo nuk është në të mirë as të vendit tonë e as rajonit. Ato janë opsionet dhe ne frikësohemi nga ai variant”, tha Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev theksoi se tha se Holanda dhe Franca kanë më shumë rezerva për nisjen e negociatave me Shqipërinë, ndërsa shtoi se gjermanët frikësohen nga kërcënimet e palës shqiptare se vendimi mund të ndikojë për destabilitet në rajon, sidomos në Kosovë.

“Ata mendojnë se nëse i hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe lihet jashtë Shqipëria, do të krijohet problem dhe mund të ndikojë tek Kosova. Gjermanët frikësohen nga kërcënimet e mikut tim Edi Rama për ndryshime të mundshme të kufijve ose bashkimit me Kosovën, por unë nuk besoj në këto punë, pasi kjo do të thotë kthim prapa për 10 vjet për Shqipërinë. Ndërsa një gjë të tillë nuk e dëshiron askush”, tha mes tjerash Zaev.

Ndërkohë eurokomisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, në një mëngjes pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ka tentuar të nxisë vendim pozitiv për dhënien e pëlqimit që Maqedonia e Veriut të fillojë negociata për anëtarësim. Deri në këto momente nuk ka detaje nga takimi. Kur na ndajnë rreth dy javë nga takimi i ministrave të jashtëm të vendeve anëtare, akoma nuk dihet qëndrimi i tyre përfundimtar për Maqedoninë e Veriut. Takimi i një dite më parë i kryeministrit Zoran Zaev në Bruksel duket se nuk ka ndryshuar asgjë. “Më shumë vende anëtare të BE-së refuzojnë fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkruan gazeta austriake “Die Presse” e cila më tej vazhdon se “të parat, Franca dhe Holanda fuqishëm kundërshtojnë fillimin e negociatave më të dyja vendet”

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, pas takimit me Zaevin pranoi se disa vende akoma janë kundërshtare të hapjes së negociatave tani.

“Unë e di se disa shtete anëtare kanë shqetësime. Unë do të bëj gjithçka që është në fuqinë time për t’i bindur ato”, theksoi Jean Claude Juncker, president i Komisionit Evropian.

Junker, megjithatë, kishte theksuar se në bazë të fakteve objektive, Maqedonia e Veriut është e gatshme për hapin e radhës. Me eurokomesarin Hahn ishin takuar edhe përfaqësues të VMRO-DPMNE-së të cilët kishin shprehur shqetësimet për funksionimin e institucioneve në vend dhe ngecjen e reformave, por nga ana tjetër, kishin kërkuar fillim të negociatave për anëtarësim/Alsat-M.

Te fundit


Kthehu lart