Një javë e madhe për Eberechi Eze është kurorëzuar me një tjetër sukses, këtë herë larg fushës së futbollit – në fushën e shahut!
Futbollisti i kombëtares angleze dhe ylli i Crystal Palace ka fituar turneun online Chess.com PogChamps 6, duke treguar se strategjia nuk është vetëm për lojën me top
Futbolli modern kërkon inteligjencë të mprehtë dhe Eze po e vërteton se është ndër ata lojtarë që e zotëron edhe aspektin cerebral të lojës. Pavarësisht se futbollistët dikur stereotipoheshin si “të paditur”, lojtarë si Eze po thyejnë këtë perceptim.
Vetëm një javë më parë, Crystal Palace mposhti Aston Villën në Wembley, duke u kualifikuar në finalen e FA Cup kundër Manchester Cityt. Por për Ezen, sukseset nuk u ndalën aty.
26-vjeçari nga Londra shkëlqeu në fitoren e skuadrës së tij dhe më pas triumfoi në turneun e shahut mes VIP-ave, ku morën pjesë 12 konkurrentë. Pas kalimit të fazës së grupeve, Eze fitoi një biletë direkte për në gjysmëfinale. Atje, mposhti gjimnastin Stephen Nedoroscik me rezultat 2-0, ndërsa në finalen e së premtes mposhti YouTuber-in Sapnap me të njëjtin rezultat.
Fituesi nuk i fshehu emocionet, duke festuar fitoren me një “Come on!” dhe një grusht në ajër përpara kamerës.
Fitorja i solli 20,000 dollarë çmim në para – një shifër e mirë edhe për një futbollist profesionist.
Që prej transferimit nga QPR në Palace në vitin 2020, Eze është kthyer në një nga figurat kryesore të klubit. Largimi i Wilfried Zaha i ka dhënë më shumë hapësirë dhe përgjegjësi, të cilat Eze po i shfrytëzon me brilancë. Ai shënoi golin e tij të parë me Anglinë në fitoren 3-0 ndaj Letonisë në mars, çka e ka futur në radarët e klubeve të mëdha që kërkojnë një “xhevahir” të ri nga Selhurst Park.
Siç duket, Eze është “i mirë në gjithçka”. /GazetaExpress/