Ylli i padiskutueshëm i Kosovës: Jam krenar që jam pjesë e kësaj Kombëtareje


Gazeta Express
12 Qershor 2019 18:28

Fidan Aliti ndihet krenar që është pjesë e Kombëtares më të re në Evropë, Kosovës, me të cilën është duke e kaluar një periudhë të ëndërruar në karrierën e tij profesionale.

Mbrojtësi i klubit elitar suedez, Kalmar, nuk ka harruar po ashtu t’i falënderojë tifozët për përkrahjen e madhe që i kanë dhënë Kombëtares verdhekaltër në vazhdimësi, shkruan Gazeta Express.

Ish-qendërmbrojtësi i Skënderbeut i ndihmoi Kosovës në dy ndeshjet e Grupit A kualifikuese për EURO 2020; në barazimin 1:1 me Malin e Zi në Podgoricë dhe në triumfin historik 3:2 kundër Bullgarisë në Sofje në fillim të qershorit, si titullar i padiskutueshëm.

Tani, pak ditë pasi e ka kryer obligimin e tij me Kombëtaren para pushimeve verore, 25-vjeçari ka zgjedhur rrjetet sociale për ta shfaqur krenarinë e tij me atdheun që e përfaqëson.

“Jam krenar që jam pjesë e kësaj Kombëtareje. Faleminderit të gjithëve për përkrahjen”, shkroi Aliti në mbishkrimin e një fotografive në llogarinë e vet zyrtare në Instagram, ku shihet në fanellën dardane.

Aliti ende nuk e ka shënuar golin e parë në fanellën e Kosovës, në 13 paraqitjet e tij deri tani në të gjithë garat.

Ai, megjithatë, ka qenë shtyllë në mbrojtjen e Bernard Challandes në turneun inaugurues të UEFA-s, Ligën e Kombeve, ku Kosova la gjurmë të mëdha duke u promovuar nga Liga e fundit, D, në Ligën C, si dhe duke siguruar një vend në play-off për kualifikim në Kampionatin Evropian përmes një rrugë dytësore.

Ai ka thënë edhe kontributin e tij si titullar i padiskutueshëm në tri ndeshjet e para deri tani në kualifikime për EURO 2020. /Gazeta Express/   

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart