Ylli i Kosovës s’i humb dot ndeshjet e Federerit, i shikon edhe në komunikacion


load
Gazeta Express
11 Korrik 2019 14:42

Leart Paqarada edhe pse në komunikacion, nuk ka mundur të durojë pa e shikuar ndeshjen çerekfinale të legjendës zvicerane Roger Federer në Wimbledon. Duke qenë larg shtëpisë dhe në rrugë, mbrojtësi i Kosovës ka gjetur një mënyrë specifike për ta shikuar atë drejtpërdrejt.

Federer bëri një paraqitje madhështore duke e mundur Kei Nishikorin në katër sete (4:6, 6:1, 6:4, 6:4) në çerekfinalen e grand slamit më prestigjioz në tenis të mërkurën dhe mbrojtësi i majtë i Kombëtares dardane nuk ka pasur si ta humbasë një shfaqje aq sublime, shkruan Gazeta Express.

Ylli i SV Sandhausen, klubit nga 2. Bundesliga – niveli i dytë i futbollit gjerman – ndonëse duke vozitur në komunikacion, e ka shfaqur ndeshjen në laptopin e tij, siç tregon një fotografi e postuar nga ai në llogarinë e vet zyrtare në Instagram.  

Ai e ka shfaqur përkrahjen e tij për 20 herë kampionin e grand slameve edhe publikisht duke postuar një fotografi nga ndeshja. “Ec aty!” ka shkruar ai në Instagram.

Postimi i Paqaradës në Instagram

Për përkrahjen e 24-vjeçarit, i cili është adhurues i madh i zviceranit, Federer do të ketë edhe më shumë nevojë këtë të premte, kur ballafaqohet me rivalin e moçëm të tij, Rafael Nadal, në përpjekje për ta arritur finalen e së dielës dhe grand slamin e nëntë rekord në All England Club.

Federer dhe Nadal do të takohen në Wimbledon për herë të parë që prej vitit 2008, pasi të dy tenistët e arritën gjysmëfinalen e turneut të sivjetmë të grand slamit më prestigjioz në tenis.

Nadal e mundi Federerin 6:4 6:4 6:7 (5:7) 6:7 (8:10) 9:7 në finalen e Wimbledon më 2008

Spanjolli 33-vjeçar e mundi Sam Querrey në tre sete, 7:5, 6:2, 6:2, duke iu bashkuar 37-vjeçarit në gjysmëfinalen e shumëpritur në terrenin me bar.

Në finalen e vitit 2008, takimin e fundit mes tyre në këtë turne, spanjolli Nadal fitoi 9:7 në setin e pestë kundër zviceranit Federer në një finale të prekur nga shiu që zgjati gati shtatë orë.

Por në shtatë takimet e fundit, Federer prin 6:1 me fitore karshi Nadalit. Para një muaji, megjithatë, Nadal e mundi lehtësisht në tri sete Federerin në gjysmëfinale të grand slamit French Open.

Por, pritjet për gjysmëfinalen e nesërme janë shumë më të mëdha për Federer që të fitojë, duke parë se ndeshja do të luhet në një terren të shpejtë, siç është bari, i cili i përshtatet shumë më shumë stilit të lojës së zviceranit dhe jo atij të spanjollit. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart