Ylli i Arsenalit iu kërkon falje tifozëve: Unë kam faj për lëshimin e pikëve ndaj Watford


Gazeta Express
16 Shtator 2019 10:11

Mbrojtësi i Arsenalit, Sokratis Papastathopoulos, iu ka kërkuar falje tifozëve topçinj dhe ka thënë se e merr fajin mbi supe për dështimin e madh në pjesën e dytë kundër Watfordit të dielën.

U duk se skuadra e Unai Emery do ta korrte një fitore të lehtë kur Pierre-Emerick Aubameyang shënoi dy gola në pjesën e parë, për epërsinë e pastër të Arsenalit, transmeton Gazeta Express.

Watford, megjithatë, u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe e barazoi rezultatin në 2:2 duke e marrë një pikë të madhe në Vicarage Road.

Një gabim i tmerrshëm i mbrojtësit grek i ndihmoi vendasve ta nisin rikthimin.

Sokratis bëri një pasim të dobët mbrapa që u lexua nga Gerard Delofeu, i cili e vodhi topin dhe e pasoi atë te Tom Cleverley. Ish-mesfushori i Manchester United shënoi dhe e ktheu Watfordin në lojë.

Nëntë minuta para fundit, edhe një gabim tjetër në mbrojtjen e “Topçinjve” i kushtoi skuadrës me humbjen e dy pikëve. David Luiz shkaktoi penallti, të cilën në gol e konvertoi Roberto Pereyra.

Sokratis ndien se ishte fajtor dhe për këtë iu ka kërkuar falje tifozëve të Arsenalit.

“Rezultati i lojës së sotme nuk është i mirë për ne. Unë ndiej përgjegjësi për këtë rezultat, prandaj dua t’ju kërkoj falje të gjithë juve. Nuk dua të fshihem dhe do të vazhdoj të punoj fort për t’i arritur qëllimet tona”, shkroi Sokratis në rrjetet sociale drejtuar tifozëve të Arsenalit. /Gazeta Express/   

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart