Xhaka: Na dhemb kur humbim, por çelësi i suksesit është të qëndrojmë të bashkuar


Gazeta Express
25 Gusht 2019 11:23

Granit Xhaka e ka pranuar se ndihet i lënduar nga humbja e Arsenalit kundër Liverpoolit, por iu ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të qëndrojnë të bashkuar për të arritur sukses.

26-vjeçari kosovar i Zvicrës, i cili e kishte humbur duelin e javës së kaluar kundër Burnley shkaku i një shqetësimi, u rikthye tamam në kohë për derbin kundër kampionit të Evropës, shkruan Gazeta Express.

Xhaka, megjithatë, nuk qe në gjendje t’i ndihmojë skuadrës së Unai Emery ta shmangë humbjen ndaj superfuqisë së Jurgen Klopp, pasi të kuqtë fituan 3:1 falë golave nga Joel Matip dhe Mohamed Salah.

Mesfushori kosovar iu ka bërë thirrje bashkëlojtarëve të qëndrojnë të bashkuar dhe tifozëve ta përkrahin skuadrën, sepse beson se vetëm kështu mund të arrihet suksesi afatgjatë.

Dhe Arsenali do të ketë nevojë pikërisht për këtë qysh javën e ardhshme, kur e pret rivalin londinez, Tottenhamin në Emirates.

“Gjithmonë na dhemb kur humbim, por çelësi i suksesit afatgjatë është të qëndrojmë të bashkuar edhe pas zhgënjimit. Ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj për sfidën e madhe javën e ardhshme sepse në këtë mënyrë jemi më të fortë”, shkroi Xhaka në Facebook. /Gazeta Express/  

Te fundit


Kthehu lart