Wilder synon ta vrasë ndonjë boksier në ring: Boksi ma lejon


Gazeta Express
15 Maj 2019 12:02

Deontay Wilderi e ka komentuar edhe një herë dëshirën e tij për ta vrarë ndonjë boksier gjatë ndonjë meçi.

Kampioni i peshave të rënda në WBC, Deontay Wilder, do ta mbrojë titullin e tij të shtunën kundër Dominic Breazeale, në Barclays Center në Nju Jork, transmeton Gazeta Express.

Bokseri i njohur si “Bronze Bomber” e ka paralajmëruar kundërshtarin e tij se ai është duke e rrezikuar jetën, pasi që e zbuloi dëshirën e tij për ta vrarë ndonjë person gjatë një meçi në ring.

“Ky është i vetmi sport ku mund ta vrasësh një njeri dhe të paguhesh për këtë gjë në të njëjtën kohë. Është e ligjshme”, ka thënë Wilder.

“Jeta e Breazeale është në rrezik në këtë meç dhe e them seriozisht këtë gjë. Unë jam ende duke tentuar që ta kem një person të vrarë në rekordin tim”.

Kjo nuk është hera e parë që Wilderi ka folur publikisht për synimin e tij që ta vrasë ndonjë boksier gjatë meçit. Komentet e tij më parë ishin kritikuar ashpër nga disa boksierë të famshëm, si Tony Bellew.

Kur u pyet se çfarë do të mendonte Breazeale për komentet e tij të fundit, Wilder u përgjigj: “Dominic Breazeale e kërkoi këtë gjë. Nuk e kërkova unë meçin kundër tij. Ai më kërkoi mua. Kështu që nëse ndodh, ndodh. Ky është një sport brutal, nuk është për xhentëlmenë”.

“Ne nuk kërkojmë që të goditemi në fytyrë, por kjo gjë ndodh prapëseprapë. Ky është sporti i vetëm ku mund ta vrasësh dikë, të paguhesh dhe e gjitha kjo të jetë e ligjshme. Kështu që pse të mos e përdori të drejtën time tani”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart