Wijnaldum e fton De Ligtin për ta festuar golin me mesazh kundër racizmit


Gazeta Express
20 Nëntor 2019 9:59

Georginio Wijnaldum dhe bashkëlojtari i tij Frenkie De Jong u bashkuan për ta dërguar një mesazh kundër racizmit gjatë fitoren me rezultat 5:0 të Holandës në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020 kundër Estonisë, të martën.

Mesfushori i Liverpoolit, Georginio Wijnaldum ishte ylli i ndeshjes për skuadrën e Ronald Koemanit të martën në Amsterdam me het-trikun e tij, që i ndihmoi Holandës ta mbyllë kampanjën kualifikuese në mënyrën më të mirë të mundshme, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, paraqitja e tij është po aq e vlefshme për shkak të festimit të tij për një gol, përmes të cilit ai e dërgoi një mesazh të fuqishëm kundër racizmit.

Pasi e zhbllokoi rezultatin pas vetëm gjashtë minutave, 29-vjeçari shkoi te vija anësore e fushës dhe e ftoi De Jongun. Ai pastaj e mbajti dorën e tij afër asaj të mesfushorit të Barcelonës, duke e theksuar ndryshimin në ngjyrën e lëkurës për të sugjeruar se futbolli është sport për çdo racë e ngjyrë.

Festimet erdhën në përgjigje të thirrjeve raciste ndaj futbollistit të Excelsiorit, Ahmad Mendes Moreira, në barazimin 3:3 me Den Bosch në ligën e nivelit të dytë të futbollit të dielën.

Ndeshja u ndal përkohësisht për shkak të thirrjeve abuzive, të cilat nxitën që futbollistët e Excelsiorit u larguan nga fusha në shenjë proteste. Federata e Futbollit e Holandës premtoi ta hetojë rastin dhe t’i dënojë përgjegjësit për thirrjet raciste.

Duke folur për incident më herët këtë javë, Wijnaldum kërkoi sanksione më të vështira për këdo që shpallet fajtor për racizmin dhe kërkoi që lojtarët të lejohen të largohen nga ndeshjet në rastet e tilla. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart