Weber për 'marrëveshjen e Macronit' ku Kosova merr vizat dhe njohjen e Greqisë: S'tingëllon as si diçka që do ta propozonte Parisi - Gazeta Express
string(126) "weber-per-marreveshjen-e-macronit-ku-kosova-merr-vizat-dhe-njohjen-e-greqise-stingellon-as-si-dicka-qe-do-ta-propozonte-parisi"

Weber për ‘marrëveshjen e Macronit’ ku Kosova merr vizat dhe njohjen e Greqisë: S’tingëllon as si diçka që do ta propozonte Parisi

Lajme

Besnik Veliu

27/05/2021 20:09

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht që kishte deklaruar se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prej prioriteteve kryesore të Qeverisë që drejton, ka udhëtuar brenda një kohe të shkurt dy herë për në kryeqytetin e negociatave. Përveç kësaj, Kurti duket se ka hequr dorë nga edhe vendosja e menjëhershme e masës së reciprocitetit kundër Serbisë. Ministrja e tij, Rozeta Hajdari, ka thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje dhe se po kërkojnë modalitete në kuadër të marrëveshjeve ekzistuese për të zgjidhur problemet me fqinjin verior.

Këtë rrëshqitje të Kurtit dhe Qeverisë nga qëndrimet e mëhershme e ka vënë re edhe eksperti gjerman i DPC-së dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber. Ai në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se gjithë këtë e sheh në kuadër të një adaptimi pragmatik të Kurtit, meqë tashmë ka lëvizje edhe në raportet Washington-Bruksel.

Lexo Edhe:

“Këtë zhvendosje të pjesshme të kryeministrit Kurti nga pozicioni për dialogun e shoh si një adaptim pragmatik, bazuar në faktin se me Administratën e re të Biden, është lëvizur nga gara në mes të SHBA’së ( nën Trumpin) dhe BE’së në bashkëpunim për dialogun. Është një interes i përbashkët për të rinisur negociatat, tashmë kur kemi një administratë të re në Washington dhe Qeveri të re në Prishtinë, përpara pushimeve të verës”, ka thënë Weber për Express.

Eksperti gjerman në këtë intervistë ka folur edhe për marrëveshjen e fundit në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor për lëvizje të lirë. Weber këtë e sheh si një rezultat të përpjekjeve për ta vendosur iniciativën për krijimin e Mini Shengenit në kuadër të kornizës së Bashkimit Evropian.

“Me marrëveshjen e 4 Shtatorit 2020 në Shtëpinë e Bardhë, ish i dërguari i SHBA Grenell në fund të fundit e kishte kthyer të ashtuquajturën iniciativë Mini-Shengen në një rivalitet me iniciativa të ndryshme evropiane për bashkëpunimin rajonal, veçanërisht procesin e Berlinit. Që nga ajo kohë, janë bërë përpjekje për të sjellë iniciativën Mini-Shengen në kornizën e BE-së, d.m.th. në kornizën e procesit të Berlinit. Marrëveshjet e fundit mbi lirinë e lëvizjes janë padyshim një rezultat konkret i këtyre përpjekjeve dhe në përgatitjen e takimeve të samitit të Berlinit që zhvillohen në qershor dhe korrik”, ka potencuar Weber.

Në fund Weber ka folur edhe rreth debatit të nxitur së fundi rreth një marrëveshje të mundshme që pretendohet se po e përgatit presidenti francez, Emanuel Macron, në këmbim të secilës Kosova do të marr njohjen nga Greqia dhe liberalizimin e vizave. Eksperti gjerman e thotë prerë se s’ka asgjë të vërtetë, meqë e konsideron të pamundur një skenar të tillë.

“Epo, unë besoj që ai “lajm” është një spin politik, siç ishte non-paper i rrejshëm francezo-gjerman paraprak . Duket që është e vërtetë që presidenti Macron ka një interes për të organizuar një Samit në Paris dikur më vonë gjatë këtij viti. Dhe, njejtë sikurse ish-presidenti Trump, Macron ka prirje për një shou fotografish dhe marrëveshje transaksionesh. Por një marrëveshje që do t’i jepte Kosovës njohjen nga Greqia dhe që Macroni të heq bllokadën për liberalizim të vizave ( për të cilën ai deklaroi se nuk do të bëhet përpara zgjedhjeve presidenciale në vitin 2022) në këmbim të autonomisë për serbët në Veri të Kosovës ( gjë që ishte risia e non-paper të rrejshëm) nuk tingëllon si diçka që Parisi do ta propozonte ndonjëherë. Në fund, asnjë marrëveshje e përkohshme, edhe nëse do të ishte e pranueshme për Prishtinë, nuk do të jetë hap përpara zgjidhjes. Ka qenë një arsye e mirë që përbrenda dialogut politik të shkohet drejt pikës përfundimtare, një marrëveshje gjithëpërfshirëse, marrëveshje finale. Dhe pa pikëpyetjet dhe bllokadën e Macronit për politikën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, BE’ja nuk do të ketë fuqi të mjaftueshme politike për të detyruar Beogradin për arritjen e një marrëveshje finale, vërtet të qëndrueshme, të bazuar në njohje reciproke”, ka përfunduar Bodo Weber nga Democratization Policy Council./GazetaExpress/