Weber për Express: Dorëheqja e Haradinajt lë shumë vend për spekulime, zgjedhjet e reja të logjikshme - Gazeta Express

Weber për Express: Dorëheqja e Haradinajt lë shumë vend për spekulime, zgjedhjet e reja të logjikshme

Ballina

Gazeta Express

01/08/2019 11:54

Eksperti gjerman, i cili njeh për së afërmi zhvillimet dhe politikën në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, në një intervistë për Gazetën Express, ka folur për dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, arsyet e vërteta dhe ndërlidhjen e ftesës nga Gjykata Speciale për Haradinajn me kundërshtimin e këtij të fundit për idenë e shkëmbimit të territoreve. Për dorëheqjen thotë se tregon brishtësinë e politikës në Kosovë, ndërkohë ftesën e Speciales e sheh si një paqëndrueshmëri të Perëndimit karshi sundimit të ligjit në Kosovë. Weber thotë se pas dorëheqjes së Haradinajt është e arsyeshme që në Kosovë të mbahen zgjedhje të reja, duke shtuar se vazhdimi i dialogut Prishtinë – Beograd varet nga rezultati i tyre dhe shpejtësia me të cilën do të krijohet një koalicion qeverisës.

Besnik VELIU

Gazeta Express: Si e keni parë dorëheqjen e Haradinajt? A mendoni se ai vërtet ka dhënë dorëheqje për shkak të Gjykatës Speciale, apo e shihini një lëvizje politike që ka ndërlidhje me dialogun?

Bodo Weber: Dorëheqja e papritur e kryeministrit Haradinaj dhe shpjegimi që ai ka dhënë për atë vendim të habitshëm, lënë shumë hapësirë për spekulime rreth motiveve të tij të vërteta, përfshirë pavarësinë e Gjykatës Speciale dhe shtytjen e mundshme të Washingtonit për shkëmbimin e territoreve (edhe pse momentalisht nuk ka ndonjë shenjë të dukshme që e mbështet këtë version). E para flet për luhatjen e politikës në Kosovë, ndërsa e dyta fatkeqësisht flet për krizën e demokracisë në pjesë të Perëndimit, si dhe për paqëndrueshmërinë e Perëndimit kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit në Kosovë. Personalisht, unë nuk kuptoj se çfarë do të fitonin mbështetësit e idesë së rrezikshme për shkëmbim të territoreve nga dorëheqja e kryeministrit.

Gazeta Express: A e shihni si një ide të keqe zëvendësimin e Haradinajt me një kryeministër tjetër, apo mendoni që Kosova duhet të shkojë në zgjedhje të reja sa më shpejt që është e mundur për të krijuar institucione të reja legjitime?

Bodo Weber: Kjo u takon partive parlamentare dhe institucioneve të Kosovës. Por duke pasur parasysh faktin që prej zgjedhjeve të vitit 2017, kushtet për politika të brendshme kanë ndryshuar plotësisht, p.sh. janë dominuar nga faza finale e dialogut politik dhe mospajtime brenda koalicionit ekzistues qeverisës dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për zgjedhje të parakohshme. Për mua si një vëzhgues i jashtëm më duket më e logjikshme që të mbahen zgjedhje të parakohshme për shkak të stabilitetit politik në Kosovë. Edhe pse natyrisht është vështirë të parashikosh nëse zgjedhjet do të rezultojnë me një koalicion qeverisës stabil.

Gazeta Express: Çfarë mendoni për vazhdimin e dialogut? A mendoni se do të jetë e mundur që këtë vit të ketë ndonjë takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pas gjithë këtyre zhvillimeve?

Bodo Weber: Besoj që pas një procesi dyvjeçar të negociatave të rrezikshme dhe të kequdhëhequra, në takimin e prillit në Berlin dhe përkundër anulimit të takimit të radhës në muajin korrik në Paris, rrethanat janë, jo të paktën me ndryshimet në Komisionin Evropian, të favorshme për rinisjen e negociatave, të cilat e rikthejnë dialogun në një kornizë origjinale dhe të arsyeshme. Në këtë kuptim, gjithmonë ka qenë e qartë për aktorët politikë në Kosovë dhe vëzhguesit e jashtëm, se koha e vetme e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje ka qenë gjatë verës apo fillimisht të vjeshtës. Se a do ta mundësojë apo jo kjo kthimin në tavolinën e bisedimeve këtë vit do të varet nga rezultati i zgjedhjeve. Sepse varet sesa shpejt do ta formojnë koalicionin qeverisës.