Eksperti gjerman dhe njohësi i problemeve në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, thotë se ka dyshimet e tija që Josep Borell mund të përthekojë i vetëm një proces kompleks siç është dialogu Kosovë-Serbi. Sipas tij, kjo shfaq nevojën për emërimin e një Përfaqësuesi Special që duhet të vijë nga një shtet anëtarë i BE’së që e ka njohur Kosovën.
Besnik VELIU
Kur Federica Mogherinit po i shkonte mandati drejt fundit dhe kur pritej që spanjolli Josep Borell të ulej në karrigen e Përfaqësuesit të Lartë të BE’së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, deputeti gjerman i CDU-së, Peter Beyer, në shtatorin e vitit të kaluar nga zyrat e LDK’së në Prishtinë kishte thënë se do të ishte e udhës që edhe BE’ja njëjtë sikurse SHBA’ja të emërojë një Përfaqësues Special për dialogun Kosovë-Serbi.
Nga BE’ja tashmë e kanë pranuar se Borell është duke u konsultuar me bashkëpunëtorët e tij lidhur me emërimin e mundshëm një Emisari Special për Kosovën dhe Serbinë, ndërkohë po qarkullojnë edhe emra potencial të cilët mund të drejtojnë një pozitë të tillë.
Flitet për kryediplomatin sllovak, Mirsolav Lajcak, dhe për ambasadorin e Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen.
Por, për ekspertin gjerman dhe njohësin e zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, për çështjen e emërimit të Përfaqësuesit Special profili është shumë më i rëndësishëm se çfarëdo emër.
Madje Weber thotë se Përfaqësuesi Special duhet të vijë nga një vend anëtar i BE’së që e ka njohur Republikën e Kosovës, duke qenë se Josep Borell është spanjoll.
“Profili i të dërguarit special është shumë më i rëndësishëm se çfarëdo emri. Emisari i ardhshëm duhet të vijë nga një vend njohës, shtet anëtar i BE’së, meqenëse Borell vjen nga një vend mos-njohës. Ai/ajo nuk duhet të jetë një diplomat, por një politikan i rangut të lartë dhe një negociator me eksperiencë”, ka thënë Weber për Gazetën Express.
Weber thotë se nuk do të ishte ide e mirë zgjedhja e ndonjë personi me përvojë në Ballkan, pasi sipas tij të gjithë kandidatët potencial ose janë shumë të vjetër ose janë shkëputur nga politika e përditshme në Ballkan, ose mund të kenë ndonjë bagazh historik qoftë me një histori dështimit politik në Ballkan ose me paragjykime etnike të dëshmuara.
Tutje Weber thotë se ka dyshime që Josep Borell do të mund të drejtojë i vetëm negociatat, marrë parasysh kompleksitetin e çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.
“Drejtimi i çdo negociate kumptimplote për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare, e cila është një përpjekje komplekse dhe që përfshinë një mori çështjesh politike që duhet të mbulohen nga një marrëveshje e ardhshme, kërkon një diplomaci serioze midis Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit, mes Brukselit dhe shteteve anëtare të BE’së dhe me kryeqytetet tjera perëndimore. Kjo është një punë që kërkon përkushtim të plotë. Kam dyshim që z. Borell ka kapacitet të mjaftueshëm për ta bërë gjithë këtë punë vet”, ka thënë Weber.
Prandaj, sipas tij, emërimi i një Përfaqësuesi Special të BE’së është i nevojshëm.
“ Prandaj kemi nevojë për një Përfaqësues Special, që do të drejtojë një skuadër të gjerë ekspertësh nga Ballkani dhe ekspert të veçantë për çështjet që do të diskutohen në negociata. Duke emëruar një Përfaqësues Special dhe duke lejuar atë të kompletojë një skuadër të re, Borell do të tregonte se po shkëputet nga paraardhësja e tij Mogehrini dhe nga skuadra e saj, që nuk kishin nevojë për Përfaqësues Special apo për ekip ekspertësh, pasi që negociatat ishin fokusuar rrezikshëm në harta dhe në kufij”, ka përfunduar Weber.
Lidhur me çështjen e emërimit të një Përfaqësuesi Special ditë më parë për Gazetën Express kanë folur edhe nga Qeveria Federale e kancelares Merkel. Nga Berlini thonë se mbështesin plotësisht Borellin, ndërkohë thonë se është në dorën e tij nëse dëshiron të emërojë një Përfaqësues Special apo jo./GazetaExpress/
Njihni Mjekët tanë Prof. Dr. Kamil Kose Ka përfunduar studimet për mjekësi të përgjithshme dhe më pas specializimin për...