We are not problematic guys


Berat Buzhala
16 Maj 2019 13:54

Në samitin në Alpbach të Austrisë ishte Presidenti Thaçi që deklaroi që ai dhe Vuçiq nuk ishin djem problematik. Në kohën kur ka ndodhur ky dhunim Vuçiqi ishte jashtëzakonisht problematik. Nëse PDK e paska pasë këtë foto, sipas të gjitha gjasave këtë e ka pasë edhe Presidenti Thaçi. Atëherë, duke i pasë këto njohuri në dispozicion, përse i pari i vendit tonë shoqërohej aq ngushtësisht me një ish ministër të Millosheviqit? Kurse përse tash po i nxjerrin faktet?

Shkruan: Berat Buzhala

Fotot që sot në hollin e Kuvendit të Kosovës i publikoi deputetja veterane e PDK’së, ish e burgosura e regjimit të Millosheviqit, Flora Brovina, janë një ilustrim konkret se si duket një përdhunim shtazarak, i kryer ditën për diell nga forcat paramilitare.

Nuk ka fotografi të tjera, ose ato ende nuk janë publikuar, por mendohet që në Kosovë janë kryer rreth 20 mijë dhunime të femrave shqiptare nga forcat serbe në Kosovë. Sigurisht që nuk e kemi pasë të qartë kështu vizuelisht, sa e kemi tash, mirëpo të gjithë kemi mundur ta imagjinojmë se si duket një dhunim i një femre nga tre katër burra. Fotografia e bën të vetën. Ajo shumicën e herave është më e fuqishme se sa mijëra fjalë.

Mirëpo, do të gënjeja po të thosha që sot u dëshpërova me forcat serbe më shumë se sa kur para dy vitesh u takova sy më sy me disa gra shqiptare që po më kishin treguar për përvojën e tyre të tragjike të dhunimit. Realisht nuk kam pasë nevojë për më shumë fakte, se sa dëshmia e tyre. Mjaftonin fytyrat e tyre për të ditur se nëpër çfarë kishin kaluar. Ato sot e kësaj dite jetojnë si nën turp, sikur të kishin qenë edhe vetë përgjegjëse për krimin e që kishte ndodhur mbi trupin e tyre. Për këtë edhe pata shkruar. Ndërsa nëse dikush ka qenë skeptik, nëse dikush ka pasë nevoje për fakte shtesë, atëherë kjo fotografi e Flora Brovinës ishte e tillë.

Mirëpo shtrohet pyetja, kush e paska ruajtur këtë fotografi tash e 20 vjet? Pse dikush vendosi ta nxjerrë në këtë moment?

Nuk ka asnjë dyshim që Flora Brovina nuk e ka pasur atë. Ajo thjesht është përzgjedhur sot që ta publikojë atë. Kjo fotografi paska qenë në arkivat e PDK’së dhe Kadri Veselit. Flora, marrë parasysh të kaluarën e saj, është përzgjedhur si deputetja më e duhur për të dalë para mediave. Prapë këtu nuk ka asgjë të keqe. Nëse jo Flora, do të ishte dikush tjetër që do ta mbante atë foto në duar për ta tronditur publikun. Kjo ka pak rëndësi. E rëndësishme është nxjerrja e saj në publik nga PDK.

Ne kemi qenë dëshmitar të zhvillimeve të dendura politike në dy vitet e fundit, në mes të Kosovës dhe të Serbisë, respektivisht Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq. Jam krejtësisht i bindur që kjo foto ka ekzistuar edhe gjatë kësaj periudhe kohore. Atëherë përse të njëjtën, Presidenti Thaçi, nuk e ka pasë me vete, në xhepin e brendshëm të setrës, për t’ia treguar botës, Mogherinit dhe Vuçiqit?

Mirëpo, tash, kur ka dështuar ideja e madhe për paqe në Ballkan, kur ideja për ndarjen e Kosovës ra në ujë, duket sikur Thaçi dhe PDK e kanë nisur një rrugë tjetër. Të publikojnë faktet që po i ruanin në arkivat e tyre.

Nuk ka kaluar shumë kohë nga një samit i mbajtur në Alpbach të Austrisë, kur Thaçi i bënte thirrje botës që të mos e pengonte arritjen e një paqeje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Të gjithëve neve na kujtohet deklarata e Thaçit drejtuar botës “We are not problematic guys”. E kishte fjalën për vetën dhe për Vucicin.

Vucic, është ditur atëherë, dihet edhe tash, që gjatë gjithë viteve të 90’ta, por edhe më vonë, ka qenë “very problematic guy”. Ai, në kohën kur kjo grua po dhunohej, ka qenë ministër i informatave të Sllobodan Millosheviqit. Vuçiq në çfarëdo forme, me anë të propagandës, i ka justifikuar këto krime.

Sigurisht që pa marrë parasysh momentin kur kjo foto doli në publik, ajo bëri mirë që doli në publik. Mirëpo një gjë e tillë nuk na ndalë ne që të shtrojmë pyetje shtesë. A ka lidhje publikimi i kësaj fotoje me dështimin e planit të Thaçit dhe Aleksandrit? Ose, a ka lidhje kjo foto me Tribunalin Special, që siç duket i ka përshpejtuar hapat për t’i ngritur aktakuzat e para?

Sido që të jetë, edhe nëse të gjitha këto janë të vërteta, e duket që janë të tilla, ata që e kanë pasur foton, duke shpresuar që e dinë edhe ku ka ndodhur krimi dhe kush janë autorët e krimit, do të ishte e rrugës që të fillonin pa humbur kohë procedurat për arrestimin dhe dënimin e tyre.  

Te fundit


Kthehu lart