Wanda Nara s’e përjashton mundësinë që Icardi të shkojë në Juventus - Gazeta Express
string(66) "wanda-nara-se-perjashton-mundesine-qe-icardi-te-shkoje-ne-juventus"

Wanda Nara s’e përjashton mundësinë që Icardi të shkojë në Juventus

Gazeta Express

19/02/2020 15:47

Agjentja dhe bashkëshortja e Mauro Icardit, Wanda Nara, ka thënë se sulmuesi i Interit i huazuar në Paris Saint-Germain do ta vendosë se ku dëshiron të luajë sezonin e ardhshëm, mirëpo ka shtuar se ky vendim nuk është marrë ende.

Mauro Icardi është për momentin i huazuar te gjiganti francez Paris Saint-Germain nga Interi, pasi i ishte bërë e ditur gjatë verës së kaluar nga drejtuesit e zikaltërve se ai s’ka të ardhme në San Siro, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Agjentja dhe bashkëshortja e Icardit, Wanda, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Icardi të qëndrojë në PSG apo të kthehet në San Siro, mirëpo as mundësinë që argjentinasi ta kompletojë transferimin e shumëpritur në Juventus.

“A do të shkojë Mauro në Juventus? Me të vërtetë nuk e di. Nuk e di nëse vitin e ardhshëm ne do të kthehemi në Milano apo nëse do të qëndrojmë në Paris. Në futboll nuk mund të parashikosh asgjë”, ka thënë Nara.

“Ai [Icardi] do të zgjedhë dhe ne do ta ndjekim atë. Është e vështirë për mua të debatoj për zgjedhjen e tij sepse e njoh Mauron shumë mirë dhe e di saktësisht se çfarë dëshiron ai si futbollist dhe çfarë e bën atë të ndihet mirë si njeri”.

“Do ta ndjek atë në zgjedhjet e tij – edhe si bashkëshorte, por edhe si agjentja e tij – në mënyrë që t’i ofrojë siguri shtesë”.

Sulmuesi argjentinas ka kontribuar me 11 gola në 16 paraqitjet e tij në Ligue 1 me PSG-në.

PSG-ja e ka opsionin ta transferojë argjentinasin në fund të sezonit për rreth 70 milionë euro, mirëpo nuk është ende e qartë nëse gjiganti francez do ta shfrytëzojë këtë opsion. /Gazeta Express/