LV-ja po pret që Isa Mustafa ta thërrasë Këshillin e Përgjithshëm që do të vendosë për ofertën e Albin Kurtit - Gazeta Express
string(104) "vv-po-pret-qe-isa-mustafa-ta-therret-keshillin-e-pergjithshem-qe-do-te-vendos-per-oferten-e-albin-kurtit"

LV-ja po pret që Isa Mustafa ta thërrasë Këshillin e Përgjithshëm që do të vendosë për ofertën e Albin Kurtit

Gazeta Express

13/01/2020 12:25

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të qartë se nuk negocion me LDK-në për pozitën e kryeparlamentarit, post ky ku është emëruar Glauk Konjufca në seancën konstituive të 26 dhjetorit. Megjithatë, ata po presin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, që të vendosin në rast se pranojnë apo jo dy ofertat të cilat Albin Kurti i ka propozuar Isa Mustafës, shkruan Gazeta Express.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë deklaruar se në takimin e fundit që ndodhi të enjten që lamë pas, nga LDK-ja kanë deklaruar se do t’i mbledhin organet e partisë për të shqyrtuar ofertën e LV-së.

Lexo Edhe:

“Nga takimi i herës së fundit mbeti që LDK-ja të mbledhë organet e saj për të shqyrtuar ofertën e Lëvizjes, tash jemi në pritje kur të mblidhen ata. Sepse siç e ka deklaruar dje kryetari Kurti ne jemi të gatshëm të mblidhemi e te mbyllemi deri në arritje të marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e LV-së, për Express.

Mirëpo, ndryshe po deklarohen në LDK. Sot gjatë ditës, në një prononcim për media, Avdullah Hoti ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dhënë ofertën e vet, e mbetet nga LV-ja të vendosë a do të pranojë të njëjtën.

“Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja. Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për t’u takuar”, ka deklaruar Hoti.

Në anën tjetër, ndërkombëtarët po i vazhdojnë thirrjet për krijim sa më të shpejtë të qeverisë.

Momentalisht, në selinë qendrore të LDK-së, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett është duke mbajtur takim me Isa Mustafën, Vjosa Osmanin e Agim Veliun. /GazetaExpress/