Vuçiq e fton Trumpin për vizitë në Serbi


Gazeta Express
15 Qershor 2019 7:33

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka uruar presidentin e SHBA-ve Donald Trump për ditëlindje dhe i ka kërkuar atij ta vizitojë Serbinë.

Vuçiq i ka kërkuar Trumpit vizitën në Serbi me arsyetimin se asnjë president amerikan nuk e ka vizituar Serbinë për gati katër dekada, duke i kërkuar kështu edhe ndikimin në Kosovë për shfuqizimin e taksës.

“Siq e dini ju, zoti President, përmes problemit të Kosovës, kalojnë jo vetëm të drejtat dhe interesat e Beogradit, por edhe të faktorëve të ndryshëm ndërkombëtar, duke u bërë kështu burim i manipulimit dhe paqëndrueshmërisë së pafundme politike”, tha Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, askush, nuk është kujdesur për zgjidhjen e kësaj barre të rëndë, sa Serbia. “Kjo është arsyeja pse ne jemi realisht edhe me guxim, me vullnet dhe besim të kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme që do të mundësoj paqen, stabilitetin, bashkëpunimin, prosperitetin ekonomik dhe progresin në gjithë rajonin”, vazhdoi ai.

Ai vuri në dukje se, ashtu si të gjithë qytetarët e Serbisë, ai e di se Shtetet e Bashkuara kanë një marrëdhënie të veçantë me Kosovën, duke e konsideruar atë si një shtet të pavarur, të cilin gjithmonë e kanë mbështetur dhe ndihmuar, veçanërisht nëpërmjet operacionit të ish presidentit Bill Clinton.

“Duke ndjekur punën tuaj energjike, duke respektuar guximin e ideve dhe hapjen ndaj një qasje tjetër, ndonjëherë të papritur, për zgjidhjen e problemit, unë jam i bindur se do të udhëheqni një politikë të ndryshme për këtë çështje”, tha Vuçiç, duke iu drejtuar Trump.

Pikërisht për këtë, shtoi Vuçiq “unë dua t’iu kërkoj që të ndikoni në Kosovë për të shfuqizuar taksat e dëmshme për mallrat e prodhuara në Serbi, në mënyrë që dialogu të vazhdojë dhe të gjendet një zgjidhje e pranueshme nga të dy palët”.

“Serbia dhe SHBA-të kanë arritur një miqësi të ngushtë, duke luftuar së bashku kundër padrejtësisë në dy luftëra botërore dhe kanë një lidhje të fortë mes vete”, tha Vuçiq duke e përkëdhelur Trumpin.

“Sidoqoftë, miqësia nuk është diçka që jepet njëherë e përgjithmonë, duhet të mbahet dhe të ushqehet. Prandaj unë dua të konfirmoj vullnetin tim të fortë për të kontribuar në zhvillimi e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik të dy vendeve. Me vizitën tuaj ju do të konfirmoni se dëshira për lidhje të forta serbo-amerikane është reciproke, dhe qytetarët e Serbisë do të dinin të respektonin dhe vlerësonin”, vazhdoi Vuçiq.

Duke i uruar ditëlindjen në fund, Vuçiq citohet t’i ketë thënë Trump se është i inkurajuar nga fakti që SHBA-të i kushtojnë vëmendje Ballkanit dhe për gatishmërinë për të ndihmuar dialogun midis dy vendeve.

Te fundit


Kthehu lart