Vritet avokati i njohur holandez në stilin mafioz


Gazeta Express
19 Shtator 2019 0:55

Vrasja me stil mafioz e një avokati të njohur në Amsterdam ka tronditur mbarë Holandën. Avokati po ndiqte një çështje droge dhe dyshimet e para bien mbi krimin e organizuar, që sipas policisë lokale ka kaluar çdo limit.

Një avokat holandez i angazhuar në një proces të trafikut të drogës është ekzekutuar me armë zjarri jashtë shtëpisë së tij në Amsterdam, një krim i cilësuar nga policia vendase si “jashtëzakonisht brutal”.

Derk Vierzum, 44 vjeç, ishte avokat i një dëshmitari në një çështje që ka si të pandehur anëtarët e një bande të dhunshme droge, të akuzuar për 5 vrasje të kryera në periudhën 2015-2017. Shefi i policisë, Erik Akerbom deklaroi se me këtë vrasje brutale është kaluar çdo limit.

“Tani, edhe njerëzit që bëjnë vetëm detyrën e tyre nuk janë më të sigurt”, tha Akerbom.

Ndërsa Jan Struis, kryetar i sindikatës së policisë, tha se krimi i organizuar ka dalë jashtë kontrollit dhe se Holanda është kthyer në një narko-shtet. Autoritetet policore deklaruan se janë vënë në kërkim të një të riu të veshur me të zeza dhe me kapuç, që është parë të largohet nga vendi i ngjarjes.

Avokati 44-vjeçar po mbronte ish-anëtarin e një bande të kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, vëllai i të cilit u qëllua për vdekje vitin e kaluar. 5 vrasjet e kryera në dy vjet në qytetet Utreht dhe Amsterdam i atribuohen një bande të njohur me pseudonimin “Mafia Marokene”, pasi anëtarët e saj janë me origjinë nga Maroku.

Edhe pse dhuna e armëve mbetet e rrallë në Holandë dhe vrasja e një avokati është e paprecedentë, Amsterdami ka përjetuar në vitet e fundit një rritje të valës së kriminalitetit për shkak të drogës.

Te fundit


Kthehu lart