Vrasje, vdekje, vjedhje e dhunime - ngjarjet që tronditën vendin këtë javë - Gazeta Express
string(70) "vrasje-vdekje-vjedhje-e-dhunime-ngjarjet-qe-tronditen-vendin-kete-jave"

Vrasje, vdekje, vjedhje e dhunime – ngjarjet që tronditën vendin këtë javë

Gazeta Express

24/10/2020 16:23

Java që po e lëmë pas ishte e trishtë për vendin. Vjedhje, dhunime, vrasje e vdekje të të rinjve nëpër aksidente trafiku, janë vetëm disa prej ngjarjeve që kanë tronditur qytetarët e vendit gjatë pesë ditëve të fundit. Express u sjell detaje për secilin prej këtyre rasteve.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Dy institucione shtetërore ishin cak i hajnave gjatë këtij muaji. Një prej këtyre vjedhjeve u krye në Ministrinë e Financave, e tjetra në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Më 9 tetor, janë zhdukur mbi dy milionë euro të shtetit. Brenda tetë minutave, gjithë këto para janë transferuar në konton e një kompanie private.

Për të mundësuar transferimin e këtyre parave tek kjo kompani, dyshohet se ndihmoi punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, ndaj të cilit tashmë është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Gruda për 8 minuta kishte krijuar usera fiktivë që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, pronë e Kadri dhe Valon Shalës, të cilët janë në arrati.

Rastin e kishte denoncuar Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se transferi i mbi 2 milionë eurove nga Thesari i Kosovës në llogarinë e një kompanie private është realizuar përmes një krimi kibernetik.

“Pas tre minutave që jam informuar, menjëherë e kemi denoncuar rastin në Polici. Ky është krim ekonomik i realizuar përmes një krimi të thellë kibernetik, ku janë bërë qasje të paautorizuara, janë tejkaluar autorizimet ligjore, është bërë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe janë thyer pasëordet”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo kishte thënë se krimi në Thesar ishte i organizuar derisa kishte paralajmëruar se beteja kundër hajnave do të vazhdojë.

Sipas saj transaksioni prej mbi 2 milionë eurove, është transaksion bankar dhe ka gjurmë për gjithçka, derisa ka shtuar se për këtë transaksion nuk është kërkuar as nënshkrimi i saj dhe as nënshkrimi i drejtorit të Thesarit të Kosovës.

“Krimi është i gjurmueshëm dhe më këtë intensivisht po merren organet e rendit”, ka deklaruar ajo.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami kishte thënë se paratë e shtetit janë të sigurta pasi ndodhen në Bankën Qendrore të Kosovës. Derisa kishte paralajmëruar mundësinë e kthimit të parave të vjedhura me ndihmën e organeve të drejtësisë dhe hetuesisë.

Por, kjo nuk është vjedhja e vetme që ka ndodhur në institucionet e vendit.

Para dy ditësh, është raportuar për një tjetër vjedhje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës. Atje është vjedhur një arkë, brenda së cilës kishte para dhe dokumente të rëndësishme.

Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar dje një zyrtar policor, i cili dyshohet se ka mundësuar që të kryhet kjo vjedhje.

Përmes një komunikatë drejtuar mediave, IPK-ja ka bërë me dije se ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim të besimit” gjatë angazhimit të tij në punë sekondare në objektin e AUV-it.

Dyshimet e para nga hetuesit e IPK-së janë se zyrtari policor nuk ka treguar nivelin e duhur të profesionalizmit dhe vigjilencës në raport me detyrat për të cilat kanë qenë të caktuara për të.

“Zyrtari policor (tashmë i suspenduar) që ka qenë me detyrë në punë sekondare datën kur ka ndodhur incidenti në objektin e AUV-it, është duke u hetuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqpërdorim i besimit”, thuhet në njoftim.

Por, këto nuk janë dy rastet e vetme që kanë tronditur qytetarët e vendit gjatë kësaj jave.

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, një 19-vjeçar është vrarë para banesës së tij në rrugën “Gjon Sereçi” në Gjilan.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

 “Me datë 23.10.2020 rreth orës 00:06, stacioni policor në Gjilan kanë marr një informate se ne rrugën “Gjon Sereqi” në Gjilan është një person i lënduar dyshohet me mjete te mprehtë. Patrullat policore ju kanë përgjigjur informatës ku në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimën E. S. (2001) . Viktima është dërguar me urgjencë ne spitalin rajonal në Gjilan , më pastaj është dërguar në QKUK-në Prishtinë”, ka deklaruar Hashani.

Sipas Hashanit, deri tash nuk ka të arrestuar për këtë rast. Ndërkohë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i shtetit , njësitet e hetimeve dhe forenzika rajonale. Rreth orës 01;55 nga QKUK jemi njoftuar se viktima i dërguar nga Gjilani ne Prishtine kishte ndërruar jete . Me urdhër te prokurorit të shtetit trupi i pa jete dërgohet në IML. Për momentin askush nuk është arrestuar. Policia e Kosovës po punon intenzivisht në zbardhjen e rastit”, ka thënë Hashani.

Të nesërmen është raportuar edhe për vdekjen e dy të rinjve nëpër aksidente trafiku.

Një 20-vjeçar nga Mitrovica ka vdekur pas një vetaksidenti në këtë qytet.

Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

 “Po, ka ndodhë një vetaksident gjatë natës. Dyshohet se shoferi ka humbur drejtimin e automjetit dhe ka dal jashtë rrugës. Nga ky aksident ka mbetur i vdekur një 20-vjeçar. Drejtuesi i automjetit është në ndalim policor, pasi që dyshohet si shkaktar i aksidentit. Në veturë me të kanë qenë edhe dy persona”, ka thënë Zahiti.

Edhe një 21-vjeçar nga Vushtrria ka vdekur pasi ka goditur shtyllën e betonit me veturë.

Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh.

Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të hapet si ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, Asgjësim apo dëmtim i pasurisë’, derisa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

“Raportohet se ka ndodhur një vetaksident trafiku ku një veturë me targa vendore me ngasës të dyshuarin m/k ka goditur një shtyllë të betonit me ç’rast i dyshuari ka pësuar lëndime trupore. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ndihma e shpejtë të cilët e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë dërguar në emergjencën e Vushtrrisë prej nga e kanë dërguar për tretman të mëtutjeshëm në QKUK, Prishtinë ku edhe ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.

Një rast tjetër që ka tronditur vendin është edhe dhunimi i një 15-vjeçarje nga tre persona në Gjilan.

Express merr vesh se e mitura është me çrregullime psikike.

Rastin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Gjilanit. Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Liridona Xheladini, ka deklaruar se për këtë rast janë arrestuar tre të dyshuarit.

Dy prej të arrestuarve janë të moshës 19-vjeçare, derisa një prej tyre është 17-vjeçar. Express merr vesh se të dyshuarit për këtë dhunim janë nga Mitrovica, Vushtrria dhe Drenasi.

“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se për këtë rast më 22 Tetor 2020, janë ndaluar tre (3) persona, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Dhunimi’’. Ndaj të dyshuarve A.SH. (2001), Q.P. (2001) dhe E.C. (2003) prokurori i rastit, sot ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në një motel në Gjilan, të njëjtit e kanë detyruar të dëmtuarën e mitur, të moshës 15 vjeçare, të kryente marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj”, thuhet në përgjigjet e Xheladinit drejtuar Gazetës Express.

Ndryshe, dhunimi dënohet edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Bazuar në Nenin 227 të Kodit Penal, dënimi për këtë vepër sillet prej dy deri në dhjetë vjet burgim.

“Kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e personit të tillë, dënohet me burgim prej dy (2) deri në dhjetë (10) vjet”, thuhet në Kodin Penal. /Gazeta Express