Vrasje për së dyti


Gazeta Express
26 Prill 2019 11:00

Duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë, Serbia po i fyen viktimat, po i vret ato për së dyti. Por, ngjashëm po veprojnë edhe shumica e politikanëve kosovarë që kanë pranuar t’i hyjnë dialogut me Beogradin pa kurrfarë kushtëzimi, që kanë bërë fare pak për zbardhjen e krimeve dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.

Imer Mushkolaj

Njëzet vjet pas luftës Serbia vazhdon t’i injorojë krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Milosheviqit në Kosovë. Ndërkohë që me ngulm po kërkohet që të arrihet ajo që po konsiderohet marrëveshje historike, Beogradi vazhdon t’i mohojë krimet e tmerrshme, madje duke i konsideruar edhe si të inskenuara.

Duhet të jesh ose i çmendur ose aspak njeri që të mohosh Reçakun, Izbicën, Lubeniqin e dhjetëra të jera masakra të kryera nga forca ushtarake e paraushtarake serbe.

Duhet të jesh fort i panjerëzishëm që të mos kërkosh as falje për krimet që dikush i kreu në emër të shtetit dhe qytetarëve serbë, por edhe me bekimin e po këtyre qytetarëve, shumica e të cilëve i besuan verbërisht Milosheviqit.

Sot Serbia udhëhiqet nga Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i Milosheviqit dhe pjesë e aparaturës shtetërore që mbolli tmerre e vdekje në Kroaci, Bosnjë e Kosovë.

Sot udhëheqësit serbë nuk janë në gjendje të pranojnë përgjegjësinë për krimet e kryera, madje kryeministrja Ana Brnabiq mohon edhe gjenocidin në Srebrenicë.

Sot Serbia vazhdon t’i fyejë viktimat, duke i vrarë për së dyti. Por, jo veç me fajin e saj.

* * *

Tash tetë vjet Kosova ka nisur një dialog me Serbinë. Dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Hashim Thaçi, atëbotë, pranoi të nis dialogun me Beogradin pa kurrfarë kushtëzimi. Nuk u përmendën as të pagjeturit, as të vrarët, as dëmet e luftës, as plaçkitja e pasurisë së Kosovës. Dialogu nuk u kushtëzua me asgjë. Madje as me një kërkimfalje që, së paku simbolikisht, do të nënkuptonte se Beogradi e merr përgjegjësinë për gjithë atë që ka bërë.

Tetë vjet pas nisjes së dialogut, Kosova vazhdon t’i vajtojë e kujtojë të vrarët e të pagjeturit, politikanët vazhdojnë të mbajnë fjalime e çojnë kurora lulesh te varret e lapidarët, e Serbia vazhdon betejën, tash diplomatike, kundër shtetësisë së vendit të cilin dikur e okupoi dhe qytetarët e të cilit i masakroi.

Tetë vjet pas nisjes së dialogut e njëzet vjet pas luftës, me qasjen e vet nënshtruese e poshtëruese, shumica e politikanëve të Kosovës vazhdojnë t’i fyejnë viktimat, t’i vrasin për së dyti ato. Ngjashëm si Serbia.

Dy dekada pas luftës vetëm një numër simbolik i autorëve të krimeve janë sjellë para drejtësisë dhe janë ndëshkuar. Institucionet e vendit janë treguar neglizhente në mbledhjen e dëshmive për krimet e kryera dhe procedimin para organeve përkatëse. Vetëm familjarë të viktimave, të ndihmuar nga ndonjë OJQ, kanë dorëzuar aktpadi në gjykata, një punë që do të duhej të koordinohej nga shteti, nga politika, nga ata që shfaqen paradite nëpër akademi përkujtmore duke thënë fjalë të mëdha, e pasdite shprehin nevojën e vazhdimit të dialogut me Beogradin – me njerëzit që nuk shfaqin pikën e dhimbjes as përgjegjësisë për veprat kriminale. Për krimin shtetëror të Serbisë.

* * *

Kur pyeten pse nuk kanë bërë më shumë për të sjellë drejtësi për gjithë atë që ka ndodhur në Kosovë, njerëzit që udhëheqin institucionet përpiqen ta heqin fajin nga vetja. Zakonisht thonë se deri vonë nuk e kishin përgjegjësinë në fushën e drejtësisë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por institucionet askush nuk i ka ndaluar të mbledhin dëshmi dhe të përgatisin dosje për të dyshuarit si kriminelë. Askush nuk i ka penguar që të vazhdojnë së kërkuari drejtësi për qytetarët e vet, për ata që i sjellin ndërmend veç në përvjetorë vrasjesh, ndërkohë që pjesën tjetër të vitit janë të zënë me tenderë e përfitime të tjera financiare.

Tek tash, kur pritet vazhdimi i fazës finale të dialogut me Serbinë, politikës i ka rënë ndërmend të përmend të pagjeturit, të vrarët, dëmet e luftës. Tek tash, pasi shumë nga ta janë pasuruar sa më s’ka, po paralajmërojnë se të gjitha këto do të jenë pjesë e “marrëveshjes historike” me Serbinë. Me Serbinë e cila në asnjë moment nuk ka shfaqur pikën e keqardhjes për atë që ka bërë, me Serbinë e cila vazhdon t’i luftojë shqiptarët e Kosovës dhe shtetin e tyre me të gjitha mjetet në dispozicion. Me Serbinë që vazhdon t’i fyejë viktimat dhe t’i vrasë ato për së dyti.

Nga Serbia edhe mund të pritej një qasje e tillë, por e pafalshme është qasja e institucioneve të vendit për vite me radhë. Është dëshpëruese të shohësh se si plot politikanë kanë përfituar e janë pasuruar vite me radhë, ndërkohë që për mijëra viktima nuk është vendosur ende drejtësi. Është dëshpëruese që njëzet vjet të luhet me viktimat. Ky është turpi i tyre. Është turpi ynë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart