Vrasja e 9-vjeçarit në Veleshtë, edhe pas 18 vitesh mbetet enigmë


Gazeta Express
15 Qershor 2019 19:20

Ka shkuar në shkollë dhe kurrë më nuk është kthyer në shtëpi. 18 vjet familja Rexhi nga Veleshta e Strugës bredh nëpër institucionet për ta dëgjuar, por edhe dëshmuar për të vërtetën e vrasjes së djalit të tyre Aliut.

Në ditën fatale të 13 nëntorit 2001, ai ishte vetëm 9 vjeç. Ka qenë klasa e katërt. Të afërmit e tij tregojnë se çdo gjurmë ka humbur rreth orës 16 pas mbarimit të orëve të mësimit.

Edhe pse gjithë natën kanë kërkuar në lumin lokal, trupin e kanë gjetur të nesërmen.

Ata thonë se asnjë institucion i sistemit të drejtësisë tani më dy dekada nuk ka kryer asnjë hetim për këtë rast.

Familja thotë se nuk janë të kënaqur as me autopsinë e kryer të trupit që, sipas tyre, ishte e pakompletuar.

Përveç shkaqeve të vdekjes, lëndimit të kokës, në dokumentin që e kanë marrë nuk është shënuar vendi dhe koha kur ka ndodhur vdekja, gjë që shkakton dyshime te ata.

Avokati i familjes thotë se ata kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg me të cilën padisin shtetin duke kërkuar të përcaktohet përgjegjësi për veprim të parregullt dhe kompensim të dëmit.

I gjithë rasti, thotë avokati, është ende në procedurë parahetimore në Ministrinë e Brendshme.

“Bëhet fjalë për vdekjen e një fëmije në rrethana të dhunshme, që autoritetet kompetente disi e injorojnë. Që nga fillimi, kur është kërkuar një autopsi, kjo nuk është kompletuar. Nuk dihet lista e të dyshuarve, por nga policia janë marrë në pyetje vetëm persona për të përcaktuar identitetin e viktimës, dhe jo personi që ndoshta e ka bërë krimin. Familja e të ndjerit është përpjekur ta lëvizin procedurën duke propozuar dëshmitarë, duke theksuar që ata të dëgjohen si të mbrojtur në mënyrë që të mos i rrezikojnë ata. Në lidhje me këto kërkesa, Prokuroria nuk ka vepruar siç duhet” deklaroi avokati Mihail Kiçeec.

Avokati thotë se ata gjithashtu përgjigje se pse nuk veprohet mbi këtë rast kanë kërkuar në Ministrinë e Brendshme, pastaj në Prokurorinë Publike, por edhe deri te Avokati i Popullit.

Përgjigje nuk kanë marrë nga askush.

Nga Ministria e Brendshme për Alsat shkurtimisht thanë- do ta hulumtojnë rastin dhe do të informojnë në mënyrë adekuate, sepse, siç thonë, bëhet fjalë për rast që ka ndodhur gati 20 vjet më parë, shkruan Alsat.


Te fundit


Kthehu lart