Votuesit amerikanë, të ndarë për shkarkimin e presidentit Trump


load
Gazeta Express
19 Tetor 2019 21:25

Që kur ligjvënësit demokratë filluan muajin e kaluar hetimet për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, mbështetja e publikut për hetimin është rritur në 52%.

Kjo shumicë e ngushtë reflekton ndasitë e mëdha mes amerikanëve për sa i përket Presidentit Trump dhe politikave të tij.

New Hampshire, shteti i parë që i dha fitoren Presidentit Trump në zgjedhjet paraprake të 2016-tës, vazhdon ta mbështesë edhe për 2020-tën…

“Njerëzit në New Hampshire kundërshtojnë me forcë shkarkimin. E shikojnë si diçka që nuk bën asgjë për të ndihmuar vendin, por vetëm e përçan më tej. Është një proces përçarës që nuk i shërben asnjë qëllimi pozitiv”, thotë Lou Gargiulo, nënkryetar i organizatës “Trump për New Hampshire”.

Presidenti Trump akuzohet se gjatë një telefonate me presidentin e Ukrainës kërcënoi se do të pezullonte asistencën për Kievin, nëse nuk hetohej për korrupsion rivali i tij politik Joe Biden.

Votuesit janë të ndarë për sa i përket veprimeve të Presidentit Trump.

“Presidenti Trump po zhvillonte një bisedë me një tjetër udhëheqës botëror për shqetësimet e tyre. Ekzistojnë qartësisht probleme me korrupsionin në Ukrainë dhe ai po përpiqej ta trajtonte këtë çështje”, thotë zoti Gargiulo.

Por, për shumë votues të pavarur dhe demokratë, veprimet e Presidentit Trump janë serioze dhe duhen hetuar.

“Nëse u bën kërkesa të tjerëve dhe u pezullon asistencën për të marrë atë çfarë dëshiron, kjo është e trishtueshme”, thotë Cathy Robertson Souter, votuese e pavarur.

Kjo shkelje shikohet nga votuesit si pjesë e një modeli më të gjerë shkeljesh nga presidenti.

“E kupton se korrupsioni ka ekzistuar në themel dhe se këto parime janë futur në Shtëpinë e Bardhë. E shikon çdo ditë, e shikon në çdo institucion që është rrezikuar për shkak të korrupsionit të tij, makutërisë dhe egoizmit. Atij nuk i intereson vendi”, thotë demokratja Marsha Miller.

Mbështetja për shkarkimin ishte këtë verë në 45%. Pasi telefonata me Ukrainën i shtyu ligjvënësit demokratë të hetojnë, mbështetja për shkarkimin u rrit në 52%. Në New York, ndasitë janë të qarta.

“Rusët fituan duke krijuar frikë negative dhe armiqësi mes palëve. Njerëzit kanë dashur largimin e Trump-it që në fillim. Kjo nuk është gjë e mirë për Shtetet e Bashkuara. Armiqësia që gjenerohet nga kjo është një gjë e tmerrshme për vendin”, thotë votuesi Rick Pearce.

Megjithatë, disa votues nuk janë ende të sigurtë se si do të ndikojë hetimi votën e tyre në 2020-tën.

“Nancy Pelosi foli për një proces shkarkimi. Por, personalisht nuk e shikoj se si do të funksionojë kjo për zgjedhjet e ardhshme. Thjesht nuk e di ende nëse ka ndonjë evidencë me vlerë”, thotë Brian Pham, votues për herë të parë.

Mbështetësit e Presidentit Trump thonë se hetimi do të dëmtojë demokratët.

“Po gërmojnë dhe gërmojnë dhe nuk do të ndalen derisa t’i hapin varrin vete”, thotë Marianne Costabile, votuese në Kaliforni.

Një fermer i shqetësuar për tarifat thotë se mesazhi kryesor nuk i duhet dhënë Presidentit Trump, por Kongresit amerikan.

“Duhet të bëhen seriozë. Është vetëm spektakël dhe mendoj se vendi i shikon si një anije me budallenj”, thotë fermeri Wendell Shauman.

Futjuni punës – ky është mesazhi i votuesve ndërsa ligjvënësit po përparojnë drejt finales për shkarkimin e presidentit. /VoA

Te fundit


Kthehu lart