Voto ringjalljen


Gazeta Express
5 Tetor 2019 12:22

Shkruan: Lis Bukuroca

„Është një përvojë e përjetshme se çdo njeri që ka pushtet, është i prirë ta keqpërdorë atë. Ai vazhdon tutje, derisa të hasë në pengesë.“  Charles-Louis de Secondat, baron de La Brède de Montesquieu

Në fabulën e Ezopit, meqenëse dhelpra nuk mund të arrijë rrushin, ajo tërhiqet duke bindur veten se asht-ashtu, rrushi është i tharbët. Shumë votues duke bindur veten se nuk ndryshon asgjë, mund të votojnë të mosndryshimin, por këtë akt, do ta paguajnë fëmijët e tyre. Kjo ecuri në psikologji quhet disonancë kognitive.

Mendimi im është të fitojë Vjosa, por të mos humb Albini. Kosova nuk ka pasur kurrë dy kandidatë të mirë në të njëjtën kohë! Dhe, këta dy, nëse krijojnë Qeverinë, duhet të marrin ekspertë edhe nga jashtë partisë. Kosova ka intelektualë të mëdhenj, që nga merito dhe idiokracia janë stigmatizuar, shantazhuar dhe përjashtuar nga jeta politike. Është koha e fundit të kthehen. Është urdhër, domosdoshmëri dhe në interes nacional, e më gjerë, të merret në konsiderim dhe absorbohet dija e tyre për të ndërtuar shtetin e së drejtës.

Një elitë politike që përjashton njerëzit e dijshëm, dëshmon injorancën e vet. Ajo  shpërblen veten, por dëmton me vetëdije të plotë dhe arrogancë, interesat nacionale duke krijuar rrethana për dëbimin e popullit. Kohëzgjatja në pushtet mundëson krijimin e klaneve, ndikon në rritjen e korrupsionit, nepotizmit dhe kriminalitetit. Në këtë drejtim nuk ka më asgjë çfarë të shtohet. E vërteton Montesquieu.

Duhet brez i ri me orientim të qartë perëndimor, jo elitë që ngrohet në prehrin e një despoti, i cili në Kosovë, mu edhe si në Anadoll, arreston intelektualë.

Për të luftuar nevojitet guxim, për të ndërtuar shtet të së drejtës nevojitet shumë dije dhe shumë guxim. Komandantët duhet falënderuar për përshpejtimin e çlirimit, por nuk kanë më çfarë të thonë. Punuan aq sa ditën! Rezultati: ata u pasuruan, populli u varfërua!

Një personalitet i kulturës shqiptare, i cili do të duhej të bëhej Ministër i Punëve të Jashtme, është Veton Surroi. Nëse jo Ministër, atëherë kryetar i shtetit! Ai nuk ka nevojë për post, por Kosova ka nevojë për erudicionin e tij. Veton Surroi i duhet Kosovës në këtë gjendje. Kosovës i duhen politikanë me dije dhe kulturë, të cilët respektohen edhe jashtë, jo vetëm brenda.

Me punë serioze dhe shtet juridik, në Kosovë vijnë investime nga Perëndimi dhe jo vetëm nga qytetarët e dëbuar nga Millosheviqi, apo nga politikanët e pasluftës. Natyrisht se anulohet edhe detyrimi për viza, por nuk ishte reale të pritej zhbërja e tyre, kur elitën aktuale, nuk dëshironte ta takojë askush, pos gjatë negociatave me Serbinë, apo gjatë ndonjë ceremonie, ku mblidheshin politikanë nga shumë vende të botës.

Një Qeveri që do të jetë në shërbim të popullit, jo mbi popullin si deri tani, duhet të marrë ndonjë edhe nga opozita, sepse asnjë parti nuk ka aq shumë njerëz të mirë, sa vetë të qeveriste pa skandale. Kosova është e vogël dhe njerëzit janë shpërndarë nëpër shumë parti. Kosovës i duhen patriot racional, jo folklorikë dhe ruralë!

Qytetari i Kosovës nesër duhet të dëshmojë përgjegjësinë dhe dashurinë ndaj atdheut! Kjo tregohet duke votuar vetëm opozitën. Këtë duhet ta bëjnë edhe ata që kanë përfituar nga elita në rrëzim, sepse me votën e tyre, do të marrin një vendim historik: a të mbeten fëmijët e tyre brenda, apo të ikin jashtë, domethënë a të shpërbehet familja tuje. Për të zhvilluar ekonominë e një vendi, duhet dije, pasion dhe përkushtim, jo vetëm merita në të kaluarën.

Në fund një lutje grave: nëse dëshironi të bëheni bashkëndërtuese të ardhmërisë, votoni vetëm gra, edhe atë, pa marrë parasysh në cilën parti gjenden!

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart