VMRO-DPMNE-ja kërkon zgjerimin e hetimit për rastin “Reket”


Gazeta Express
12 Gusht 2019 15:39

Partia e Mickoskit kërkon zgjerimin e hetimit për rastin “Reket” duke përfshirë edhe porositësit e kësaj vepre. Sipas nënkryetarit të VMRO DPMNE-së Igor Janushev, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë të pashmangshme pas publikimit të këtij skandali.

Ai madje thotë se kryeprokurorja speciale Katica Janeva, në vend të shfrytëzimit të pushimit vjetor, duhet të mbyllet në paraburgim, ndërsa Zaev duhet të tërhiqet nga funksioni i kryeministrit.

“Hetimi duhet të vazhdojë deri te porositësit në Qeveri për të cilët tani e në kohë të gjatë shkruajnë mediat. Kërkohet reagim i menjëhershëm. VMRO-DPMNE-ja kërkon që Zaev të mbledh guximin dhe të mos e çojë shtetin në rrugë qorre, të japë dorëheqje dhe Parlamenti të shpërbëhet. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të jetë e pavarur financiarisht si dhe larg çdo ndikimi dhe kërcënimi politik. Është e nevojshme rimëkëmbja e Maqedonisë ndërsa Zaev patjetër duhet të largohet”, u shpreh Igor Janushev, sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Zbardhja e rastit “Reket” është kërkuar tashmë edhe nga faktori ndërkombëtar. Një ditë më parë, Brukseli u shpreh përmes Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johanes Han, i cili kërkoi mosndërhyrje në organet e drejtësisë, ndërkohë që ditë më herët, edhe ndihmës sekretari amerikan i shtetit Palmer tha se mos hetimi deri në fund i këtij rasti mund të minojë perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.

Te fundit


Kthehu lart