Vjosa e Albini bashkë për 2 Korrikun, VV-ja thotë se Haki Abazi ishte organizator i ngjarjes - Gazeta Express
string(88) "vjosa-e-albini-bashke-per-2-korrikun-vv-thote-se-haki-abazi-ishte-organizator-i-ngjarjes"

Vjosa e Albini bashkë për 2 Korrikun, VV-ja thotë se Haki Abazi ishte organizator i ngjarjes

Gazeta Express

03/07/2020 15:06

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani është parë dje në një paraqitje para Kuvendit të Kosovës së bashku me kreun e LVV-së, Albin Kurti, dhe disa anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.

E shoqëruar nga ish-kryeministri i Kosovës e ish-zëvendëskryeministri, kryeparlamentarja Vjosa Osmani është parë dje në një aktivitet të organizuar në nder të 2 Korrikut, me anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lexo Edhe:

Nga partia që udhëhiqet nga Albin Kurti kanë bërë të ditur se të pranishëm përveç ish-kryeministrit Albin Kurti e ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi kanë qenë edhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci e shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

“Me rastin e 30 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese të datës 2 korrik, 1990, në po të njëjtin vend ku u mblodhën 114 delegatë asokohe, Kryetari Albin Kurti, së bashku me Kryetaren e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, Shefin e GP, Rexhep Selimi, Nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavci, ish zv.kryeministrin Haki Abazi dhe disa delegatë që morën pjesë gjatë leximit dhe votimit të deklaratës, kujtuan rëndësinë e asaj ngjarje”, shkruan Vetëvendosja në lajmërimin për aktivitetin.

Që nga dje paraqitja e Osmanit me anëtarët e LVV-së është komentuar edhe nga disa anëtarë të qeverisë aktuale.

Zëvendësministri Halil Matoshi e ka kritikuar Osmanin për paraqitjen, duke thënë se çon në një përplasje shoqërore.

Gazeta Express ka pyetur në Lëvizjen Vetëvendosje nëse ky aktivitet është bërë me ftesë të kryeparlamentares Osmani.

Në partinë e Kurtit kanë thënë për Gazetën Express se ky aktivitet është organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, saktësisht nga ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi.

“Ka qenë organizim i Lëvizjes Vetëvendosje, së bashku me disa qytetarë e protagonistë të asaj kohe, mirëpo, nën organizimin e angazhimin intensiv të ish-zëvendëskryeministrit Abazi”, kanë thënë nga LVV-ja. /GazetaExpress/