Vitia: PDK po synon dëmtimin e çështjes së të dhunuarave


Gazeta Express
19 Maj 2019 13:24

Derisa çështja e të dhunuarave në luftë mori mbështetjen ndërkombëtare dhe kur dukej që gjithçka kishte marrë drejtimin e duhur, Kosova pwsoi një goditje të rëndë, këtë radhë jo nga Serbia por nga PDK-ja.

Kjo ishte deklarata e kryetarit tw Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë Arben Vitia, në mbledhjen e Këshillit të Qendrës teksa ka folur për publikimin e fotografive nga deputetja e PDK-së Flora Brovina e që më vonë u konfirmuan si fotografi të rrejshme.

Vitia tha se PDK pasi nuk e kishte votuar projektligjin për statusin e grave të dhunuara në luftë, javën e kaluar u mundua edhe ta shkatërrojë këtë çështje, por që sipas tij nuk ia kishte dal pasi Kosova ende ka njerëz të ndershëm.

“Kur dukej se cdo gjë kishte marrë drejtimin e duhur Kosova mori një goditje të rëndë, në këtë rast jo nga Serbia por nga PDK, e cila skandal pas skandali, e mashtrim pas mashtrimi kësaj radhe synoi dëmtimin e çështjes së të dhunuarave. Pra, kjo parti e cila nuk e ka votuar as projektligjin për statusin e grave të dhunuara nga lufta, me këtë skandalin e fundit u përpoq ta shkatërronte edhe këtë çështje. Sigurisht që nuk ia doli  sepse Kosova ka mjaft njerëz të ndershëm, të moralshëm, kombëtar brenda dhe jashtë Lëvizjes. Madje, edhe në PDK ka shumë njerëz që tanimë e kanë kuptuar se ku është katandisur kjo parti dhe një pjesë e madhe e tyre tash e disa kohë po largohen nga aty, sepse askush që e ka një trohë fytyre sot nuk mund të rrijë më në partinë e hajnave antikombëtar. Edhe ambasadat e huaja tanimë e kanë kuptuar se në çfarë niveli është bërë kapja e shtetit nga këta grykës dhe gjithmonë e më shu më po i izolojnë ata, madje Ambasada Amerikane përmendi skandalet ku përfshihen shumë zyrtarë nga PDK, AAK dhe Nisma. Ky është një mesazh kuptimplotë i izolimit të atyre që po e izolojnë Kosovën”, tha Vitia.

Ai deklaroi se ka ardhur koha që ta largojnë “PANhajninë” dhe të zgjedhim një Qeveri që punon me nder e me mençuri për Republikën dhe për qytetarët e saj.

Arben Vitia, kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Prishtinë, ka folur edhe për problemet që e karakterizojnë kryeqytetin.

Ai tha se sot Prishtina është një qytet në të cilin mafia ndërtimore nuk ka më pengesa, derisa ka theksuar se kryeqyteti meriton trajtim më të mirë.

Me aktivitetet tona jemi përpjekur të jemi zë i shqetësimit të qytetarëve dhe këtë do ta bëjmë.

“Sot kemi një qytet që vetnumëron, kemi një qytet ku mafia ndërtimore nuk ka më pengesa, kemi Prishtinën tonë që në dimër ka ajrin e ndotur me tym, e në verë me pluhur. Prishtina meriton më shumë parqe dhe hapësira publike, meriton trajtim më të mirë të mbeturinave në qytet, meriton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe urban dhe qytetarët e Prishtinës meritojnë jetë të dinjitetshme. Përballë një qeverisje komunale dembele dhe pa vizion, e cila ka shpërndarë fokusin në shumë tema përveçse aty ku duhet, pra te qyteti dhe qytetarët e saj, përballë një kryetari i cili tani edhe hapur e pranon dështimin sidomos në raport me mafien e ndërtimit, e kemi obligim dhe na takon neve të angazhohemi edhe më shumë qoftë për të adresuar problemet dhe ngecjet, qoftë për të mbrojtur Prishtinën. Këtë e kemi bërë vazhdimisht me asamblistët tanë, po edhe me krejt strukturat në Qendrën e Prishtinës”, deklaroi Vitia.

Ndër sfidat që i kanë si Qendër, Vitia tha se mbetet nevoja për të angazhuar më shumë gra e vajza në Qendrën e Prishtinës. Ai tha se nuk do të ndalen derisa të arrihet që anëtarësia në radhët e vajzave dhe grave të jetë aq sa i takon, pra gjysma.

Vitia ka potencuar se Prishtina mbetet qyteti i të rinjve të Kosovës, ndërsa tha se ata mbeten Lëvizja e të rinjve, e sipas tij, ata duhet të bëhen bashkë dhe t’u hapin rrugën të rinjve në Lëvizje.

Te fundit


Kthehu lart